Transmetuar më 28-05-2024, 20:31

Qeveria shqiptare ka vendosur që tuneli i Llogarasë të hapet vetëm përkohësisht në 1 korrik dhe të qëndrojë i hapur për pak muaj, jo më shumë se edhe muaji shtator.

Më pas tuneli do të qëndrojë i mbyllur për qarkullimin e automjeteve për një afat të pacaktuar, bëri sot të ditur zëvendëskryeministrja Belinda Balluku me një deklaratë që bëri në tunelin ende me punime.

#Tuneli i Llogorasë do të hapet për kalimin e automjeteve, sigurisht me disa kushte sigurie pasi do të na duhet që ne të vazhdojmë punën në tetor.

Kur të mbarojë fluksi, do të mbyllet sërish, ashtu siç kemi bërë dhe me Orikum-Dukat, siç kemi bërë edhe me bypass-in e Vlorës, pra që ne i disponojmë për kalim gjatë verës, por i mbyllim në tetor për t’u dhënë mundësi që të përfundojnë të gjitha detajet, sidomos edhe ato të parametrave brenda tunelit të emergjencës”, tha Balluku.

Këtë sezon veror, tuneli do të jetë i kalueshëm nën monitorimin e policisë rrugore, por me parametrat e plotë të sigurisë,  tha zv.kryeministrja.

Balluku njoftoi se tuneli përfundimisht do të jetë plotësisht i hapur në të dy krahët, përfshirë tunelet rezervë, pas vitit 2025, por nuk dha një datë të saktë.

Por Balluku tha se duke filluar nga viti 2025 do të aplikohet tarifa për çdo kalim vajtje apo ardhje. Ministrja e Infrastrukturës nuk dha edhe këtu një shifër pagese, por spekulohet se ajo do të jetë midis 200 dhe 300 lekë për një drejtim.

Si po ecin punimet

Aktualisht ka përfunduar puna për betonimin e tunelit kryesor në të gjithë gjatësinë e tij, ndërsa po vijohet për detajet e tjera që janë pjesë e kësaj vepre.

Janë fazat e fundit të punimeve për të nisur më pas hedhjen e shtresave asfaltike dhe po punohet edhe për vendosjen e sistemit elektromekanik dhe sistemin e ndriçimit.

Po ashtu, po punohet paralelisht edhe për ndërtimin e qendrës së monitorimit të tunelit.

Sot ishin aktivitetet e fundit sa i takon punimeve në tubin kryesor. Është gati për të filluar shtrimi i asfaltit.

Ndriçimi është në proces, por vetëm në fillim të tunelit ka përfunduar.

Pajisjet e aspirimit janë montuar dhe të tjera pajisje janë gati për t’u montuar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd