Me 76 vota për, 6 kundër dhe asnjë abstenim, Afrim Gashi nga koalicioni VLEN është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Në Maqedoninë e Veriut sot po mbahet seanca konstituive e përbërjes së njëmbëdhjetë të Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare që u mbajtën më 8 maj.
Afrim Gashi ishte propozuar për postin e kryetarit të Kuvendit nga koalicioni i partive shqiptare VLEN, ndërsa ka mbështetjen edhe të VMRO-DPMNE-së, partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare.
Gashi deri të hënën ka qenë kryetar i partisë Alternative, kur dha dorëheqje pas nominimit të tij për kryetar të Kuvendit.
Sipas dispozitave në fuqi, kryetari i Kuvendit nuk mund të jetë edhe kryetar partie, apo bartësi i funksioneve tjera në ndonjë subjekt politik.
Afrim Gashi ishte deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në dy mandate 2016-2020 dhe 2020-2024.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd