Transmetuar më 29-05-2024, 07:50

Albert Gudmundsson akuzohet për dhunë seksuale në Islandë. Prokuroria Publike rihapi çështjen, duke lëshuar një aktakuzë kundër lojtarit të Genoa, i cili ishte denoncuar nga një vajzë për ngjarjet e ndodhura verën e kaluar. Vendimi i prokurorit mund të çojë në një dënim me burg për islandezin, i cili më parë ishte pezulluar edhe nga kombëtarja.

Historia doli në dritë në gusht, kur një femër paraqiti ankesë kundër lojtarit, pas ngacmimeve seksuale. Një rast shumë i rëndë, i nënvizuar edhe nga presidenti i federatës së futbollit, i cili kishte marrë masa të menjëhershme: “Gudmundsson është përjashtuar nga Islanda, duke qenë se sipas rregullave të federatës ai nuk mund të stërvitet apo të marrë pjesë në ndeshje me pjesën tjetër të skuadrës. Vijon procesi i hetimit ndaj tij”.

Për këtë arsye emri i tij nuk figuron në thirrjet e fundit të kombëtares islandeze, pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer me Genoa në Serie A, çka e bëri atë të ishte ndër lojtarët më të mirë në dispozicion të trajnerit. Dy paraqitjet e vetme me kombëtaren në të gjithë këtë periudhë datojnë në “play-off” e e kaluar kundër Izraelit dhe Ukrainës, por ka një shpjegim: në atë kohë Prokuroria e Qarkut e kishte mbyllur çështjen. Pas një apeli të paraqitur në prokurori, vendimi u anulua.

Vendimi i prokurorit i hap dyert një dënimi të mundshëm. Sipas avokatit që ndihmon denoncuesen, dëshmia e saj është veçanërisht e besueshme. Për këtë arsye, akuzat për dhunë seksuale ndaj Gudmundsson mund të çojnë në pasoja shumë të rënda.

Neni 194 i Kodit të Përgjithshëm Penal të Islandës në lidhje me veprat seksuale thotë se "Kushdo që kryen marrëdhënie seksuale me një person pa pëlqimin e tij është fajtor për përdhunim dhe dënohet me burgim nga minimumi 1 vit deri në maksimumi 16 vite". Pra, ligji është i qartë dhe lojtari i Genoa mund të rrezikojë të paktën një vit burg, nëse do të shpallet fajtor për ngacmim ndaj vajzës që e denoncoi gati një vit më parë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd