Transmetuar më 28-05-2024, 10:38

Lautaro Martinez dhe Agustina Gandolfo zbuluan anët e tyre më private gjatë podkast-it të organizuar nga Diletta Leotta. Teksa priste të mësonte më shumë për të ardhmen e tij në Pinetina, kapiteni i Interit dhe bashkëshortja prekën shumë tema; nga sezoni i parë në Milano e deri te dasma në Itali, në liqenin e Komos.

"Vitin e parë në Itali dhe tek Interi kisha si udhërrëfyes Icardin, – kujton sulmuesi argjentinas. – Luajta pak, madje mendova të largohesha dhe të kthehesha në Argjentinë. Isha mësuar të luaja gjithmonë. Ishte e komplikuar, por Interi më dha një leksion të mirë, të mos hiqja dorë kurrë.

Kam pasur gjithmonë një karakter të fortë. Kur kam humbur kam kaluar orë e orë pa folur me askënd, as me prindërit e mi. Agustina ka qenë gjithmonë pranë meje, pastaj kam ndryshuar me lindjen e fëmijëve të mi.

Kur kthehem në shtëpi bëhem dikush tjetër. Luaj gjithmonë për të fituar, por nëse humbas në fushë, stërvitem më shumë. Si arrita në shtëpi pas penalltisë së humbur kundër Atletico Madridit në Champions? Shumë i zemëruar.

Milano është shtëpia ime, që në momentin e parë u ndjeva kështu. Ndjeva menjëherë ngrohtësinë e tifozëve dhe ndihmën e atyre që punojnë në botën e Interit, ishte thelbësore për mua. U ndjeva i dashuruar që nga dita e parë".

Më pas zbuloi disa histori për jetën e tyre familjare: “E shoqëroj unë vajzën për në shkollë, sepse e kam rrugës për në stërvitje. Stërvitem, kthehem në shtëpi, kaloj pak kohë me gruan time dhe pastaj shkoj ta marr vajzën nga shkolla. Më pëlqen, dua të kaloj pak kohë me të. Unë fle shumë pasdite, menjëherë pas drekës".

Për dasmën e festuar në Itali me një ceremoni civile dhe më pas në Argjentinë me ceremoni fetare, ai tregoi: “Një ditë para dasmës isha mirë. Pastaj, kur hipëm në makinë sikur m’u mblodh një lëmsh në fyt… Për pak volla, Agustina u shqetësua". “I thashë të mos villte, sepse isha veshur me të bardha", – u përgjigj ajo duke shkaktuar të qeshura të përgjithshme.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd