
Ende nuk ka marrëveshje totale, nuk ka firma, por rruga për “martesë” është shtruar. Paulo Fonseca po shkon drejt stolit të Milanit, teksa vlerësohet shumë për stilin e tij si trajner, brenda dhe jashtë fushës. Në fushë e do futbollin sulmues, punon me të rinjtë.
Sezonin e fundit, çuditërisht ka humbur efektivitetin sulmues, por ka ulur numrin e golave të pësuar. Larg kamerave ai konsiderohet trajner i gatshëm për të punuar në ekipin kuqezi dhe për të ndarë zgjedhjet e klubit, pa shumë “teka”. Edhe kjo ishte e rëndësishme në përzgjedhjen e drejtuesve të “Djallit”.
Milani zyrtarizoi dje ndarjen me Stefano Piolin, gjë që natyrisht nuk ishte mister. Sot ai do ta duartrokitet në “San Siro” në një mbrëmje të çuditshme, ku Milani duket shumë më i lidhur me sezonin e ardhshëm se atë aktual, që ka përfunduar gati një muaj më parë me të gjithë objektivat.
Zgjedhja e Fonseca shpjegohet edhe kështu, sepse ka shumë pika kontakti me Piolin. Milani donte qartësisht një trajner të ri, që në qasjen ndaj profesionit ngjan me Piolin. Në fushë dallimet janë të shumta dhe të dukshme, por zgjedhja fundore është e njëjtë.
Java e ardhshme, sipas planeve të të gjithëve, do të jetë momenti i shtrëngimit të duarve. Milan dhe Fonseca biseduan shumë dhe arritën një marrëveshje për pothuajse gjithçka. Ditët e ardhshme do të përdoren për të përcaktuar detajet dhe ndoshta edhe konkluduar me zyrtarizim të marrëveshjes.
Në gjithë këtë, mbetet të shihet se si do të reagojnë tifozët kuqezinj. Mbështetësit e Milanit në rrjetet sociale janë shprehur gjithmonë qartë dhe, në përgjigje të dominimit të Interit, kërkuan një… ish-interist, Antonio Conte.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





