Transmetuar më 25-05-2024, 08:57

Departamenti i komunikimit në FSHF bën me dije se lista zyrtare me futbollistët që do të grumbullojë trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvinho, për finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” do të bëhet publike të hënën, më datë 27 maj, në orën 16:00.

Në të njëjtën orë, trajneri kuqezi do të dalë në një konferencë zyrtare për median në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” përballë gazetarëve, ku do të flasë për listën e lojtarëve, përgatitjet, dy ndeshjet miqësore dhe finalet e “EURO 2024”.

Lojtarët fillimisht do të grumbullohet në Shqipëri, më pas, në fundin e muajit maj do të udhëtojnë drejt Austrisë. Kombëtarja ka edhe dy ndeshje miqësore në program, ndaj Lihtenshtejnit (3 qershor, në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor, në orën 19:00), në “Haladás Sportkomplexum”.

Më datë 8 qershor, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe do të zhvillojnë përgatitjet për finalet e Europianit në kampin bazë, në "SportCentrum Kaiserau", afër Dortmundit.

Kombëtarja shqiptare do të debutojë në finalet e Europianit “Gjermani 2024” më datë 15 qershor, ndaj Italisë, ndeshje kjo që do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “Signal Iduna Park” (Dortmund).

Ndeshjen e dytë të grupit kuqezinjtë do ta luajnë katër ditë më pas, më datë 19 qershor kundër Kroacisë, duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.

Ndërsa takimin e fundit në grupin B, kombëtarja shqiptare do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor, në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd