
Agjenti i Lautaro Martinez, Alejandro Camano, rikthehet për të folur mbi të ardhmen e kapitenit të Interit, në ditët kur po diskutohet shumë rinovimi i argjentinasit. Negociatat janë aktualisht të ndaluara, me kërkesat e lojtarit më të larta se ato që ofrojnë zikaltrit. Agjenti foli drejtpërdrejt në “TvPlay” dhe donte t’i qetësonte tifozët zikaltër:
"Unë nuk mendoj se tifozët duhet të dinë shifrat e negociatave. Kjo është ajo për të cilën po flas me Interin. Vetë Lautaro e do klubin, qytetin e Milanos dhe tifozët mund të jenë të sigurt. Unë do të flas me ‘Oaktree’, do të kuptoj se çfarë mendon pronësia e re e klubit për Lautaro”.
Duke folur sërish për rinovimin e “Toro”, agjenti nënvizoi: “Flitet për 12 milionë, 14 milionë euro në sezon, por, e përsëris, janë çështje që diskutohen mes nesh dhe klubit. Për më tepër, janë numra që nuk i kam përmendur unë dhe as Interi. Atëherë, pse duhet të flasim për këtë?
Po flasim për një lojtar të Interit dhe kemi respekt total për zikaltrit. Nuk kam folur me asnjë ekip tjetër për të ardhmen e tij dhe nuk kam ndërmend ta bëj këtë. Flas vetëm me Interin për një rinovim të mundshëm, edhe pse Lautaro ka ende dy vite në kontratën ekzistuese me zikaltrit. Është logjike që skuadrat e tjera ta pëlqejnë atë, por jemi duke folur vetëm me Interin”.
Për titullin “MVP” që fitoi, agjenti shtoi: "I lumtur për një çmim të këtij niveli, mendoj se është pasojë e asaj që Interi ka bërë këtë sezon. Kam parë shumë lojtarë të rëndësishëm në karrierën time, kam ardhur në jetën e tij dy vite më parë, por unë mendoj se Lautaro ishte një profil i rëndësishëm tashmë qysh te Racing. Ai është ende i ri, këtë vit pati një sezon të jashtëzakonshëm. Tani po mendon për Kupën e Amerikës me Argjentinën, dëshiron të bëjë mirë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





