Transmetuar më 24-05-2024, 19:45

Dy ngjarje të rënda kanë tronditur uniformat blu pasditen e sotme, pasi një vajzë e re police i dha fund jetës me armën e detyrës, kurse një djalë i ri, gardist, u vetëplagos, edhe ai me armën e shërbimit.

Ngjarjet ndodhën në harkun kohor të 30 minutave, raporton noa.al.

Rreth orës 18:00, është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në SUT, shtetasi Fation S., 28 vjeç, punonjës pranë Gardës së Republikës, i cili dyshohet se është vetëplagosur me armën e shërbimit.

Në lidhje me rastin është njoftuar AMP, dhe në bashkëpunim me grupin hetimor po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Gjysmë ore më vonë, rreth orës 18:30, në rrugën "Ali Demi", është vetëvrarë me armë zjarri në banesë shtetasja Aldorjana Lloshi, 21 vjeçe, punonjëse Policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Mësohet se e reja u gjet nga familjarët që u tronditën nga skena e dhimbshme.

Është e paqartë përse dy të rinjtë kryen këto akte të rënda. Nuk ka të dhëna që të flasin për lidhje mes dy rasteve. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd