
Pesë persona të akuzuar për mashtrim me mikrokredi u lanë sot nën masë sigurie arrest në burg dhe katër të tjerë nën arrest shtëpie në një vendim vlerësimi mase sigurie që shpalli sot gjykata e Tiranës.
Të nëntë të dyshuari akuzohen për vjedhje dhe mashtrimi përmes mikrokredive të mijëra qytetarëve debitorë, si dhe shpërdorim detyre.
Arrest me burg u shpall për Arben Meskutin, përmbarues gjyqësor, ortak i "FINAL"; Aldo Dakën, Albert Gegën dhe Edmond Maton, të tre administratorë të Star-FS.
Për të dyshuarin tjetër Alban Kote, masa e sigurisë arrest me burg u dha në mungesë pasi ai është në kërkim.
Gjykata vendos arrest shtëpie për administratoren e Micro Credit Albania, Elda Ibro, si dhe për tre përmbarueset Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi dhe Kejda Seferi.
Procedimi penal për skemën me mikrokreditë ka nisur në 25 shkurt të vitit 2020 pas kallëzimit të bërë në Prokurorinë e Tiranës nga ministria e Drejtësisë.
Gjatë hetimeve Prokuroria ka zbuluar se 5 shoqëritë, Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH morën nga një bankë e nivelit të dytë 3.999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite, me një shumë totale prej rreth 7,3 milionë euro.
Sipas hetimit, skema niste me blerjen nga përmbaruesit të debive që qytetarët kishin në banka të ndryshme.
Në vijim bëheshin kontrata shlyerjeje me këste me debitorët duke bërë që të merrnin kredi të tjera tek MCA dhe Final për të shlyer kredinë e prapambetur.
Nga këtu, përmes skemave që nuk deklaroheshin në institucione, i çonin debitorët drejt borxheve të papërballueshme, si dhe nëpërmjet shoqërive përmbarimore u bllokonin rrogat, pronat, apo makinat.
Rasti më tipik ishte ai i një qytetari të cilit për 340 mijë lekë kredi të pashlyer iu bllokuan plot 14 pasuri.
Prokuroria thotë se 17 mijë qytetarë kanë paguar rreth 500-fish më shumë sesa borxhi që kishin marrë, një skandal i përmasave të skemave piramidale. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





