
Një sezon për t’u harruar i Tiranës, pa asnjë trofe të fituar, por edhe jashtë “final four”. Pra, jashtë katër vendeve të para të Superiores, si të ishte një skuadër dosido, jo më e titulluara e futbollit në Shqipëri.
Është kohë analizash dhe bilancesh, ndaj edhe klubi kryeqytetas ka nisur me vendimet e para. Ndër të cilat spikat shkarkimi i stafit teknik ditën e sotme, i trajnerit Erbim Fagu dhe ndihmësit të tij, Endri Vrapi.
Dy ish-lojtarë bardheblu, që nuk arritën objektivat për të cilat i mori presidenti Refik Halili që më 20 shkurt të këtij viti. Me siguri, spastrimet do të vazhdojnë edhe me lojtarët, që nuk i kanë përmbushur pritshmëritë me fanellën bardheblu. Duhet vepruar shpejt, sepse Tirana, falë “asistit” të Egnatias, që fitoi Kupën e Shqipërisë, do të luajë në Kupat e Europës. Ja njoftimi i klubit kryeqytetas për lëvizjet më të fundit:
“KF Tirana njofton se ka mbyllur me konsensus bashkëpunimin me trajnerin Erbim Fagu. Ne i shprehim mirënjohjen e pamasë teknikut, vlerësojmë kontributin e madh që trajneri Fagu ka dhënë gjatë gjithë rrugëtimit si bardheblu dhe njëkohësisht i urojmë suksese në vazhdimësi. Faleminderit Erbim për emocionet dhe punën tënde të palodhur! Gjithmonë ke një vend mes nesh!
KF Tirana njofton se zv.trajneri Endri Vrapi dhe klubi vendosën me konsensus për të ndërprerë bashkëpunimin. Vrapi u bashkua me Tiranën gjatë këtij sezoni, duke qenë ndihmës trajner, teksa klubi e falënderon për punën dhe kontributin me ngjyrat bardheblu, duke i uruar njëkohësisht suksese në karrierën e tij”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





