Transmetuar më 24-05-2024, 08:54

Nga YLLI MANJANI

Në këndvështrimin tim drejtësia penale dhe drejtësia në tërësi duhet t’i nënshtrohet sa më shpejt një reforme të dytë dhe reale. Synimi duhet të jetë krijimi i një gjykate mbi palët. Në këtë funksion shoh me përparësi këto ndërhyrje:

1. Shfuqizim i çdo ligji që lejon intimidimin, ndërhyrjen dhe ca kë keq presionin ndaj gjykatësve.

2. Vendoset parimi i përvojës jetësore krahas asaj profesionale në karrierën e gjykatësve dhe, të garantohet përjetësia në shërbim.

3. Shndërrimi i Gjykatës së Lartë në gjykatë precedenti dhe jo venddepozitim dosjesh gjyqsore.

4. Në mungesë të një kodi të ri procedural, duhet ndërhyrë me urgjencë në drejtim të ndalimit abuziv të masave të sigurisë. Masat e sigurisë nuk mund të jenë dënime.

5. Afatet e paraburgimit duhet të jenë njësoj për për gjitha juridiksionet gjyqësore dhe me afate strikte, pa të drejtë rizgjatje.

6. Rivendoset proporcionaliteti në ligjin e Vetting, siç ka disponuar Gjykata e Strassburg në rastin e Antoneta Sevdarit. Duhet lejuar rishikimi i vendimeve absurde të Vetting të cilat kanë injoruar parimin kushtetues të dyfishit të pasurisë. Shteti nuk mund të përzë nga sistemi burime njerëzore të formuara në vite, për shkak se ka lejuar ekonominë informale.

7. Miratohet një Kod Penal i ri që mbështetet në shtyllat e dekriminalizimit të shoqërisë dhe proporcionalitetit në dënim. Një Kod Penal që mbron shoqërinë shqiptare dhe jo kod që dënon shqiptarë për llogari të shteteve të tjera.

8. Vetëm në këtë kontekst të ndryshuar legal duhet rishikuar edhe afati në detyrë për prokurorët e SPAK.

9. Duhet kufizuar juridiksioni i SPAK me qëllim që të lejojë këtë të fundit të fokusohet të krimi i organizuar dhe korrupsioni i nivelit të lartë.

Këto duhen tani. Shpejt. Sa më parë. Pastaj në vijim, në afatgjatë duhet patjetër të mendojmë për:

1. Shuarjen e juridiksioneve të posaçme dhe unifikimi i tyre me juridiksionin normal. Pra na duhet një gjykatë penale dhe një prokurori e një BKH për të gjitja veprat penale. Gjykimet e posaçme janë gjithmonë të përkohshme, ndryshe nuk janë të posaçme më.

2. Dy kode të reja të procedurave të cilat duhet të jenë të thjeshta, kronologjike dhe sa më shterruese.

3. Gjykata të hapura për publikun, me qëllim që të ndihmojnë këtë të fundit të mos bëkë gjyqe popullore.

4. Idealisht një Kushtetutë të re që vendos shtetin e shekullit të ri në qendër të vemendjes. Një shtet që duhet të shërbejë duke garantuar lirinë dhe të drejtat e cilitdo.

Për këto gjëra, cilido grupim politik që ka interes të formësojë një mendim politik relevant, jam i gatshëm ta mbështes. Dhe po, padyshim që nevojitet kondensus politik për arritjen e këtyre gjërave. Konsensusi nuk është krim, por nevojë. Jakobinizmat e bolshevizmat nuk çojnë askund, përveçse në përsëritjen e historisë së trishtë të së shkuarës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd