
E ardhmja e Thiago Motta është bardhezi. Trajneri, siç raporton edhe gazeta “La Stampa”, është gati të nisë aventurën e re me Juventusin, klub nga i cili do të startojë sërish pas lamtumirës së zyrtarizuar dje nga Bologna.
Pas ndeshjes së fundit të planifikuar për sonte në “Marassi”, kundër ish-ekipit të tij Genoa, Motta do të zhytet në një fazë të re të karrierës së tij, duke paketuar valixhet për në Torino. Në pritje të tij është një kontratë 3-vjeçare, me vlerë 3.5 milionë euro neto në sezon, plus bonuse, të cilën Thiago Motta duhet ta nënshkruajë javën e ardhshme.
Në Torino, megjithatë, do ta presë edhe një drejtor sportiv si Cristiano Giuntoli, i gatshëm për të bërë një bilanc të situatës në funksion të merkatos së verës. Në fakt, Thiago Motta ka nevojë për lojtarë të rinj për 4-2-3-1, skemë që me shumë gjasa do ta aplikojë te Juventusi.
Ëndrra për mesfushën mbetet Teun Koppmeiners, por “Zonja e Vjetër” mund të bëjë blerje edhe në Bologna. Në fakt, Motta dëshiron të sjellë në Torino mbrojtësin Riccardo Calafiori, me synimin për të formuar një duet të nivelit të lartë me Bremer. Për sulmin, megjithatë, emri është gjithmonë ai i Zirkzee, por Bologna nuk do të privohet lehtë prej tij.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





