
Rafa Leao mund të largohet nga Milani këtë verë. Lajmi i bujshëm është lansuar nga “O Jogo”. Gazeta sportive portugeze e publikon lajmin në faqen e saj të parë. Për të rrëmbyer sulmuesin nga kuqezinjtë tashmë është gati një ofertë, e pamundur të refuzohet.
Natyrisht, mbetet për t’u kuptuar se çfarë dëshiron të bëjë klubi kuqezi, por vendimtar do të jetë edhe vullneti i Leaos, kontrata e të cilit ka një klauzolë lirimi. Sipas asaj që raporton “O Jogo”, është pikërisht Al-Hilal, që po tenton ta rrëmbejë Leaon. Në fakt, klubi arab dëshiron të spikasë në Botërorin e Klubeve, kompeticion në të cilin do të marrë pjesë në verën e vitit 2025.
Dhe në këtë kuptim, një nga objektivat kryesorë është blerja e Leaos nga Milani. Siç po thonim më lart, kontrata e Leaos, të cilën e rinovoi së fundi me Milanin deri më 30 qershor 2028, përfshin një klauzolë lirimi që shkon në 175 milionë euro, e cila mund të paguhet në tri këste. Një shumë që nuk do ta trembte Al-Hilal.
Më tej, “O Jogo” shkruan gjithashtu se Antonio Leao, babai i futbollistit, duhet të jetë në Arabinë Saudite këtë fundjavë për të diskutuar mbi të ardhmen e mundshme të djalit të tij, agjenti i të cilit, Jorge Mendes, mesa duket ka marrë oferta, jo aq të pasura, edhe nga Barcelona e Real Madridi.
Paga aktuale e Rafa Leaos te Milani është afërsisht 7 milionë euro neto në sezon. Një pagë që padyshim do të ishte e destinuar të rritej në mënyrë dramatike në Arabinë Saudite. Këtë sezon, Al-Hilal, një skuadër që tashmë ka në përbërje Koulibaly, Milinkovic-Savic dhe Neymar, fitoi titullin e Arabisë Saudite, pasi dominoi kampionatin.
Lojtarët e stërvitur nga Jorge Jesus e fituan titullin tri ndeshje para fundit të kampionatit. Al-Hilal e përfundoi i pamposhtur me 90 pikë (+12 ndaj Al Nassr të Cristiano Ronaldos) dhe 96 gola të shënuar.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





