Transmetuar më 23-05-2024, 09:36

Trajneri fitues i Ligës së Europës i gëzohet trofeut të siguruar mbrëmë me Atalantën: “Nuk e di nëse do të largohem, më lejoni ta festoj për momentin këtë sukses. Faleminderit nga zemra tifozëve, sepse kurrë më parë nuk e kemi ndjerë mbështetjen e tyre si këto ditë. Ata na treguan dashuri të madhe dhe ne ua shpërblyem në fushë”.

Gian Piero Gasperini shijon fitoren në një natë magjike, historike për të gjithë futbollin italian dhe Atalantën. Suksesi në “Europa League” duhet festuar siç duhet: "Ne fituam në një mënyrë të jashtëzakonshme. Mundëm skuadra si Liverpool, Sporting Lisbona, kampionët e Gjermanisë, Bayer Leverkusen. Këto janë sadisfaksione të mëdha, djemtë ishin të jashtëzakonshëm, bëmë një paraqitje të paharrueshme.

Aktivizimi në të njëjtën kohë i Lookman, Scamacca dhe De Ketelaere? Ky është tridenti ynë sulmues, luajmë shpesh kështu. Sonte kishim vetëm një qëllim, të fitonim. Prandaj duhej të ishim të rrezikshëm në aspektin sulmues, jo vetëm të mbroheshim mirë. Bayer Leverkusen është ekip i fortë kur sulmon, ndaj ushtruam presing lart dhe e detyruam të mbrohej. E merituam fitoren kundër një ekipi të fortë, jemi të lumtur, është një sukses i madh.

Për mua është trofeu i parë në karrierë, por nuk mendoj se jam më mirë tani se sa isha sot pasdite. Nuk janë vetëm titujt, që dëshmojnë se kemi zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm. Sigurisht që na duhej një kupë kaq prestigjioze si shpërblim i punës së madhe.

E ardhmja ime? Le ta shijojmë suksesin e këtij sezoni, nuk e di se çfarë do të ndodhë sezonin e ardhshëm. Nëse dikush duhet të zgjidhte momentin për t’u larguar, do të ishte ky, apo jo? Si fitues. Nuk e di, do të mendojmë për këtë, por mendoj se jo".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd