Transmetuar më 21-05-2024, 15:50

Dy zonja shqiptare kanë bërë një martesë pikërisht te godina e bashkisë së Tiranës, duke pajtuar një pastor të huaj që të bëjë kurorëzimin e tyre.

Bëhet fjalë për një martesë homoseksuale mes dy femrash. Por ligji shqiptar është i qartë që nuk lejon lejon martesën mes dy individëve të të njëjtës gjini.

E megjithatë, dy gratë duket se kanë sfiduar ligjin duke kurorëzuar lidhjen dhe dashurinë e tyre në një ceremoni fetare.

Për të zhvilluar këtë ceremoni në tarracën e Bashkisë Tiranë, ishin të pranishëm dy pastorë të huaj, të cilët kishin udhëtuar enkas për këtë event.

Por ceremonia e martesës mes dy grave, shënon si pjesë të planit të tyre, edhe nisjen e betejës së tyre ligjore për të ndryshuar Kodin e Familjes, i cili nuk lejon martesat mes personave të së njëjtës gjini.

Martesa e këtyre dy femrave u bë me pastorë kishe, por kishat në Shqipëri reaguan kundër.

Kisha Katolike duke folur në lidhje me ceremoninë simbolike martesore të çiftit të së njëjtës gjini, tha se tradita e Kishës Katolike, nuk lejon e as nuk pranon bekimin e martesave të të njëjtës gjini.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë tha se është mëse e njohur se përjetësimi i njerëzimit ka qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive dhe bashkimin e tyre.

Nga ana tjetër është e paqartë dhe nuk thuhet se kush firmosi nga Bashkia e Tiranës që pikërisht në godinën e saj zyrtare të zhvillohet një ceremoni martese në kundërshtim me ligjet dhe Kodin e Familjes në Shqipëri.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd