
Cesc Fábregas, një nga trajnerët e momentit, strateg i ngjitjes së Como në Serie A pas 21 vitesh pritjeje, mori në analizë ngjarjet aktuale të futbollit në programin “El Larguero”.
"Më doli mirë, sepse lojtarët dhanë gjithçka, por financiarisht më doli keq. Kjo ishte një dhuratë personale e imja", – tha me shaka trajneri spanjoll 37-vjeçar, i cili i premtoi skuadrës së tij pushime në Ibiza, nëse ngjitej në elitën e futbollit italian.
Më tej, spanjolli shtoi: "E fillova me ekipin e të rinjve të klubit. Në fund të nëntorit më kërkuan të bëja një hap përpara, ndihesha i përgatitur. Mes licencës UEFA A dhe PRO ju duhet një vit testim aktiv. Duke qenë trajner e kam rikuperuar urinë që kisha humbur në fund të karrierës sime si futbollist.
Como ishte një skuadër që mbrohej shumë poshtë dhe unë nuk ndihesha rehat. Ne donim të ishim më agresivë, të shtypnim më lart. Pak nga pak jemi përmirësuar me topin. Muajt e fundit e keni parë tashmë se si është ekipi im".
Cesc Fábregas dhe stili i tij si trajner: "Stili përcaktohet nga lojtarët. Nëse më lejoni të luaj, unë luaj, nëse më bëni presion, unë kërkoj hapësirë”.
A do të bëhej Cesc Fábregas trajner i Real Madridit? "E kam pasur mundësinë të nënshkruaj për Real Madridin dhe nuk e bëra si futbollist. Nuk e pranova ofertën për arsye të ndryshme. Në rolin e trajnerit ndryshojnë gjërat, sidomos në futbollin e sotëm. Nuk i dihet kurrë në jetë. Në Spanjë, por edhe në krejt kontinentitn tonë, Real Madridi dhe Barcelona janë dy skuadra shumë të mëdha. Më thoni, si trajner mund t’i refuzonte ato?”
Kështu i sheh Cesc Fábregas trajnerët kryesorë të karrierës së tij:
Luis Aragonés: Duhet të fitosh pa marrë parasysh çfarë dhe se si.
Vicente Del Bosque: Qetësi dhe të dish të imponohesh në fushë.
Pep Guardiola: Taktikisht ishte ai, nga i cili mësova më shumë.
Arsène Wenger: Si të jesh trajner dhe të menaxhosh një klub.
José Mourinho: Ai që dinte të luante më mirë me mendjen time.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





