Transmetuar më 20-05-2024, 15:22

“Tifozat Kuq e Zi”, i njohur si tifo-grupi më i organizuar dhe jetëgjatë i kombëtares shqiptare në futboll, ka ndërmarrë sot një nismë konkrete pranë selisë së FSHF-së, duke kundërshtuar me forcë, tashmë edhe me vepra, jo vetëm deklarata e fjalë, kandidaturën e përbashkët të zhvillimit të Europianit U-21 në vitin 2027 me Serbinë.

Një kandidaturë e bërë publike kjo nga Armand Duka, kreu i FSHF-së, para ca ditësh, e  dorëzuar në UEFA, por që ka hasur në kundërshtimin e fortë të opinionit futbolldashës shqiptar, sidomos atij në Kosovë e trojet e tjera ku jetonë bashkombasit tanë.

Një aksion simbolik, por shumë domethënës, i këtij tifo-grupi, që nuk lë vend të botës pa e mbështetur kombëtaren kuqezi, pas kandidaturës së përbashkët të Shqipërisë me Serbinë për organizimin e Kampionatit Evropian 2027 për grupmoshën U-21.

“Tifozat Kuq e Zi” kanë ngjyrosur me të kuqe rrugët pranë zyrave të FSHF-së, duke iu kujtuar drejtuesve të futbollit në vend gjakun e derdhur në Kosovë përballë pushtuesit serb. Po kështu, ata kanë vendosur edhe disa fotografi në rrethimin e zyrave të FSHF-së të gjenocidit që ushtria serbe ka bërë mbi popullin e Kosovës.

Në faqen e tyre në rrjetet sociale, “Tifozat Kuq e Zi” kanë shkruar: “Kundërshtojmë çdo nismë që mundohet t’i rregullojë imazhin një populli barbar e gjenocidal. Kundërshtojmë çdo bashkëpunim me vrasësit, me ata që shkaktuan me qindra masakra ndaj shqiptarëve dhe që deportuan me miliona nga shtëpitë e tyre gjatë gjithë historisë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd