
Policia e Kosovës e ka konfirmuar arratisjen e Enver Sekiraqës. Ndonëse ishte në survejimin nga Policia, Sekiraqa duket se ia ka dalë që të humbë gjurmët. Sekiraqa ndodhej në arrest shtëpie, ndërsa një ditë më parë Gjykata e Apelit ka marrë vendimin për rikthimin në paraburgim lidhur me rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.
Departamenti Special e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar.
Më 3 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite dënim me burgim dhe në shpallje të aktgjykimit, gjyqtari e kishte liruar nga masa e arrestit shtëpiak.
“Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin PN1.S.nr.91/2024, të datës 17.05.2024, e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.170/2020 të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar, ashtu që të pandehurit E.S, i është caktuar masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar me aktgjykimin e gjykatës themelore. Të pandehurit E.S, masa e paraburgimit i është caktuar konfrom dispozitës së nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi.1.1 e 1.2, kushti nga pika 1.2.1, lidhur me nënparagrafin 1.3 të KPPRK.”
Lidhur me rastin ka reaguar edhe avokatja e tij, Kosovare Kelmendi.
Kelmendi tha se këtë nuk mund ta konsideron si arratisje.
Ajo deklaroi se për rastin informacionet i ka marrë nga portalet.
“Unë personalisht nuk mund ta quaj dhe konsideroj arratisje për faktin se i njëjti ka qenë në liri dhe ai nuk ka qenë i obliguar ta presë në shtëpi një vendim të Apelit në cilindo variant. Tani, fakti që policia sot nuk e kanë gjetur në shtëpi, kjo nuk është kontestuese, por, a është arratisur apo për momentin nuk ka qenë në shtëpi dhe ka mundësi të kthehet apo paraqitet, unë ketë nuk e di meqë nuk kam informacion, meqë është fjala për 24 orët e para pas vendimit të Gjykatës se Apelit. Kjo mbetet të shihet tutje.
Unë si mbrojtëse e të akuzuarit Enver Sekiraqa, i cili deri dje me datën 17.05. 2024, ka qenë i lirë pas shpalljes së aktgjykimit, kam pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilin të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit duke u aprovuar ankesa e Prokurorit Special. Nga portalet kam kuptuar se i akuzuari nuk ka qëlluar në shtëpi me rastin e kërkimit sot nga ana e policisë”, deklaroi ajo.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd