Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim liderët e koalicionit VLEN në Maqedoninë e Veriut, Bilall Kasamin, Arben Taravarin, Izet Mexhitin e Afrim Gashi, të cilët i përgëzoi për rezultatin zgjedhor më 8 maj, duke thënë se është hera e parë që opozita shqiptare arrin mbi 100.000 vota.
Në takim, siç u bë e ditur, u diskutua për çështje me rëndësi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore, si dhe çështje tjera me rëndësi.
“Shqetësuese për palët vazhdon të jetë influenca ruse dhe serbe, e cila ndodh edhe përmes rrjeteve korruptive e kriminale. Zhvillimi i infrastrukturës që ndërlidh Kosovën dhe Maqedoninë Veriore ishte një ndër temat kryesore të diskutimit, bashkë me ide e projekte për gjallërimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e arsimor. Takimi u zhvillua në frymë të bashkëpunimit të përzemërt, duke mbajtur parasysh se shqiptarët në Ballkan janë faktor në mbështetje të demokratizimit, integrimit evropian, paqes e sigurisë dhe qëndrueshmërisë euroatlantike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd