
Leonard Duka është arrestuar këtë të shtunë në Belgjikë, falë bashkëpunimit të policisë shqiptare me atë belge. Por kush është Leonard Duka, i kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Ai njihet si kreu i ‘klanit Duka’, grup kriminal që ka pasur konflikt të vazhdueshëm me grupin e Ervis Martinjat. Duka është arrestuar në vitin 2019 në kuadër të një operacioni për luftën kundër trafikut të drogës. Po ashtu ai ka qenë në kërkim për një atentat, por të pasuksesshëm.
Ervis Martinaj i cili ka qenë një prej bosëve më të mëdhenj të lojërave të fatit në Shqipëri, duke qarkulluar dhjetëra milion euro si, dhe një investitor i madh në sektorin e ndërtimit, ishte kthyer ‘në gjahun’ më të shtrenjtë të rivalëve të tij, shpesh për këtë ‘gjah’ është përmendur edhe ‘Klani Duka’.
Kreu i klanit “Duka”, Leonardi dhe Martinaj më parë kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit, më pas patën përplasje të ashpra dhe u përfshinë në një konflikt pikërisht prej këtij aktiviteti disa milionësh. Pas prishjes së ortakërisë mes tyre, Martinaj mori peng dhe keqtrajtoi babanë e Dukës. Pas kësaj, ishte radha e Dukës që të merrte hak ndaj Martinajt, fillimisht duke dashur ta eliminojë atë fizikisht, por pasi dështoi, i ekzekutoi krahun e tij të djathtë, Santiago Malkon.
Që nga viti 2019 ndaj tij janë planifikuar dhe tentuar disa atentate, por në të gjitha rastet ai ka mundur që të shpëtojë. Në vitin 2019 ka pasur një plan konkret për eliminimin e Ervis Martinajt. Klani Duka mundi që të rekrutojë një shtetase me inicialet N.SH e cila në atë kohë punonte në një agjenci turistike dhe kishte informacion të detajuar për lëvizje dhe fluturimet e Martinajt nga Shqipëria në drejtim të vendeve të ndryshme të BE. Këto informacione bashkë me të fejuarin e saj i vuri në dispozicion të klanit Duka kundrejt një shume prej 30 mijë euro. Leonard Duka, nuk arriti dot ta eliminonte fizikisht Ervis Martinajt dhe sipas SPAK ekzekutoi krahun e tij të djathtë Santiago Malko.
Në vazhdën e kësaj ‘gjuetie’ ndaj milionerit, Vis Martinaj, i cili që nga mbyllja e basteve sportive ka bërë një jetë të tërhequr (por të blinduar me një “ushtri” të rinjsh që e ruan) në zonat rurale të largëta në aksin Laç-Lugina e Patokut, kundërshtarët e tij kanë mundur që të eliminojnë deri më tani disa nga njerëzit më të afërt të tij ndërkohë që vetë Martinaj është zhdukur.
Ish polici Santiago Malko, Fabian Gaxha, Erigers Mihasi, kushëriri i parë Brilant Martinaj (dhe 2 të tjerë te atentati i Fushë Krujës; teksa në Milot disa ditë më vonë u vra Klisman Preçi dhe i plagosur rëndë krahu i djathtë i Martinajt, Ylli Brahimi… janë njerëzit që janë sulmuar dhe eliminuar. Eliminimi i Santiago Malkos mendohet se ka ardhur pas konflikteve të klanit “Duka” me të zhdukurin Ervis Martinaj për territorin e lojërave të fatit, konflikt i nisur pas një miqësie të fortë, për të cilin në burg është vetëm polici Jeton Lami për të cilin hetimet janë mbyllur.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





