
Në Shkodër ëndërrojnë titullin kampion, i cili mungon prej vitit 2001, në kohën e presidentit të ndjerë Myftar Çela. Pra, kryeqendra e veriut ka plot 23 vite “agjërim” në këtë drejtim. Për të kaluar me sukses Egnatian në gjysmëfinalen e “final four” dhe pastaj Partizanin në finalen e 26 majit, megjithatë duket aspak e lehtë, përkundrazi.
Kjo edhe për shkak se kuqebluve nuk iu vlen as barazimi, por vetëm fitorja, sipas rregullave të këtij lloj “play off”-i, që është futur në skemë për herë të parë, pas 36 javëve kampionat. Egnatia dhe Partizani e kanë mbyllur në vendin e parë dhe të dytë kampionatin normal, pra 4 fazat, ndaj shpërblehen me kualifikim edhe nëse barazojnë.
Kujtojmë se Egnatia-Vllaznia do të luhet nesër prej orës 20:00 në "Arena Kombëtare”, ndërkohë që priten tifozë të shumtë nga Shkodra, sidomos, me autobusë falas për udhëtim drejt kryeqytetit, vendosur nga klubi. Trajneri Thomas Brdaric foli për mediat në prag të kësaj sfidë mjaft delicate, duke shpalosur optimizmin e kampit të tij.
Si duket atmosfera te Vllaznia?
Është shumë e mirë, jemi para një sfide shumë të madhe, duam ta kalojmë me sukses. Duam të punojmë me avantazhet tona në këtë ndeshje. Për këdo është ndeshje speciale, ndaj jemi shumë të motivuar.
Si do të luani ndaj Egnatias?
Do të përballemi me idetë tona më të mira. Detyrat janë të ditura, kemi luajtur kundër Egnatias në të tjera rrethana. Ndeshja në "Arena Kombëtare" është e hapur, duam finalen.

Për finalen duhet medoemos fitorja?
Ne jemi në balancë të mirë, kemi gjithë ekipin të gatshëm, kjo na jep siguri. Duhet të punojmë mirë në mbrojtje dhe sulm. Kemi punuar për planin e ndeshjes dhe shpresojmë të kemi sukses.
Keni kujtime të bukura në “Arena Kombëtare”…
Kjo na ndihmon, por është një tjetër kompeticion. Ne jemi gati për ‘luftë’, situata është ndryshe për secilin ekip. Nuk është e lehtë të luash për barazim, të dyja ekipet do të kërkojnë fitoren.
A janë implementuar idetë tuaja në ekip?
Është kohë e shkurtër për secilën ide. Kemi disa principe për lojën sulmuese dhe mbrojtëse. Lojtarët kanë mësuar shpejt, por duhet të jemi të thjeshtë. Fizikisht nuk është e lehtë të punosh, e kemi fokusin te gjërat e lehta.
Cila është pika më e fortë e Vllaznisë?
Mentaliteti dhe qëndrimi bashkë. Nuk na duhen 11 lojtarë, na duhen të gjithë me mendjen e duhur. Titullarë, lojtarë stoli dhe tifozë duhet të mbështesim fort njëri-tjetrin gjatë gjithë gjysmëfinales.
Në Shkodër po ëndërrojnë titullin pas 23 vitesh…
Është mirë të kesh ëndrra. Të gjithë tifozët shkodranë e kanë këtë ëndërr. Ta bëjmë për tifozët, për Vllazninë, për të gjithë. Ky është një objektiv, që duam ta përmbushim.
Tifozët do të kenë në dispozicion autobusa pa limit për të udhëtuar drejt kryeqytetit…
Jam i lumtur që shumë tifozë do të vijnë për të na mbështetur. Vetëm bashkë mund të arrijmë objektiva të mëdha. Na duhet fati në momentin e duhur, të ëndërrojmë për të. Hap pas hapi do të shkojmë te trofeu, kemi dy ndeshje. Ne shkojmë për titullin në kryeqytet, nuk fshihemi".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





