Transmetuar më 17-05-2024, 09:52

Ditën e sotme do të luhet gjysmëfinalja e parë e "final four" mes Partizanit dhe Skënderbeut. Në prag të kësaj përballjeje, trajneri Orges Shehi u shpreh para gazetarëve.

Si është gjendja e ekipit tuaj para takimit ndaj Skënderbeut?

Gjatë kësaj periudhe kemi punuar që të riaftësojmë Taipin dhe Carën, të cilët i janë bashkuar skuadrës. Grupi është i plotë, tërësisht i përqendruar për takimin ndaj Skënderbeut.

Si e shihni ndeshjen me Skënderbeun?

Me të gjitha skuadrat jemi përballur nga katër herë. Me disa skuadra kemi bilanc pozitiv, me disa të tjera jo dhe aq. Unë mendoj që në këtë fazë, cilado skuadër ka pretendimet e veta. Do ta vlerësojmë Skënderbeun si skuadër që është renditur e katërta, që ka objektivat e veta. Do të kërkojmë fitoren për të shkuar në finale.

A ju favorizon formati, që edhe me barazim kaloni në finale?

Unë mendoj se duket sikur është një ndeshje Kupe. Ke marrë një rezultat të mirë në fushën e kundërshtarit dhe kur kthehesh në ndeshjen e dytë, në shtëpi, ke dy rezultate. Nuk është se na favorizon shumë, por duhet ta kemi si pikë orientimi për të mos ulur dozën e përqëndrimit , vlerësimit e motivimit. Në futboll ndodh gjithçka, nuk duhet të mendojmë që edhe me barazim kalojmë në finale. Objektivi ynë i vetëm është fitorja, të jemi në finalen e 26 majit.

A mendoni se pas 36 javësh do të ishte kjo renditje për Partizanin?

Formulën e dinim që në fillim. Unë mendoj se Partizani ka zhvilluar sezonin e dytë mbi mesataren dhe shumë të mirë. Pse e them këtë? Sepse, nëse sezonin e kaluar e mbylli me 67 pikë, këtë herë e mbylli me 63 pikë, pavarësisht formulës së kampionatit. Kjo tregon vazhdimësi, qëndrueshmëri të skuadrës, mentalitetin e duhur. Të paktën nga eksperienca që kam unë në Shqipëri, shumë pak skuadra mund ta bëjnë këtë. Vazhdimësia është shumë e rëndësishme përsa i përket mentalitetit. Ne duam që Partizani të jetë gjithmonë në majat e renditjes.

Ecuria pozitive përpara ndeshjeve të "final four"…

Është e vërtetë që po kalojmë një periudhë të mirë. Pas ndeshjes në Rrogozhinë kemi marrë 5 fitore radhazi, të cilat sigurisht ndikojnë për anën psikologjike të skuadrës. Mendoj se është diçka e mirë, sepse gjithmonë skuadra duhet të jetë aty ku duhet. Ato 5 fitore ndikojnë për mirë, por duhet të rrisim përqendrimin. Kur besimi është i madh, ndonjëherë bie pak përqendrimi. Në futboll nuk ka gjëra të lehta, ndaj duhet të kesh përqendrimin dhe vlerësimin e duhur.

A prisni një ndeshje spektakli, edhe prej tifozëve?

Unë mendoj që tifozët e të dyja skuadrave presin vetëm fitore, ose kalimin e turit, nuk presin spektakël, sepse në fund fare vetëm fitorja ka rëndësi. Sigurisht, kur ti performon mirë, atëherë ke edhe premisa për të arritur atë që kërkon, kualifikimin. Ndeshja do të jetë e luftuar, e vlerësuar nga dy skuadrat. E dimë që të dyja skuadrat do të japin 100% e vet.

A ju favorizon fakti që keni luajtur më shumë ndeshje se Skënderbeu në “Arena Kombëtare" dhe pritet të keni më tepër mbështetje nga tifozëria?

Sigurisht që tifozëria është arma jonë plus. Do t’i kemi të shumtë në mbështetje, sepse e kanë treguar, na kanë ndjekur kudo dhe kanë qenë gjithmonë përkrah nesh. Përsa i përket fushës, nuk mendoj se jemi të avantazhuar. “Arena Kombëtare" është një stadium që i motivon dhe i karikon vetë të gjitha skuadrat. Nuk shoh që një skuadër është e favorizuar kur luan aty.

Atmosfera që pritet të krijojnë tifozët e Partizanit…

Ata janë lojtari ynë i 12-të. E kam thënë edhe herë të tjera, gjej rastin t’i falenderoj, sepse edhe kur s’kemi qenë aty ku duhet, ata kanë qenë gjithmonë në nivelin e duhur, gjithmonë prezent. Kam besim se do të jenë si përherë në mbështetje të skuadrës së zemrës. Nuk e di se çfarë efekti do të ketë atmosfera e tyre te Skënderbeu, por te ne është e sigurtë që ka efekt shumë të madh.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd