Maqedonia e Veriut nuk ndalet në reagimet e ashpra kundër Greqisë. Pas deklaratës së kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis për respektim të Marrëveshjes së Prespës dhe bllokim të integrimit europian, kryeministri i sapozgjedhur i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mitcovski i ka bërë të ditur homologut të tij grek që të mos përzihet në punët e brendshme të Shkupit.
Sipas tij, është e drejta jonë themelore që të quajmë vendin Maqedoni.
“Ne presim të kemi marrëdhënie të mira dhe të shkëlqyera fqinjësore. Vlerësoj që VMRO-ja dhe qeveria greke e udhëhequr nga Demokracia e Re kanë qëndrimin e tyre për Marrëveshjen e Prespës. Askush prej nesh nuk e pëlqen këtë marrëveshje”, ka komentuar Mickoski, duke e quajtur “të drejtën e tij themelore” që ta quajë vendin e tij si të dojë në diskursin publik dhe në media.
Ndër të tjera, ai i bëri thirrje Greqisë që të ndalojë sulmet – siç i cilësoi ai – kundër vendit të tij dhe nëse ka ndonjë problem, të shkojë në Gjykatën e Hagës.
Greqia ka ngritur alarmin se liderët e rinj të Maqedonisë së Veriut po shkelin marrëveshjen e Prespës duke mos përmendur emrin Maqedonia e Veriut por thjesht Maqedoni.
Sakaq pas kryeministrit Kyriakos Mitsotakis është ministri i Jashtëm grek, Georgos Gerapetritis i cili në krah të homologut të tij çek paralajmëroi Shkupin se nuk do të bëjë asnjë lëshim dhe do të monitorojë rreptësisht situatën e Maqedonisë së Veriut.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd