Transmetuar më 16-05-2024, 15:00

Një deputete socialiste ka dërguar me iniciativë një projektligj në Parlament, i cili nëse merr votat e mjaftueshme, sanksionon që për një vit, nga muaji i ardhshëm e deri në 30 qershor 2025, rivlerësimi me vlerën e tregut i pronave të paluajtshme të bëhet me 3 për qind të vlerës së objektit.

Drafti u dorëzua nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti, raporton noa.al dhe kërkon uljen nga 15 në 3 për qind të këtij tatimi, si për individët edhe për personat juridikë.

Sipas projektligjit që pritet të miratohet pa kundërshtime palësh politike, subjekt i tij do të jetë edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme të individëve që janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë, që kanë kontrata sipërmarrje dhe jetojnë në pallate ende të palegalizuara.

“Kjo dispozitë synon të trajtojë raste të atyre individëve që janë në proces legalizimi të pasurive të paluajtshme apo edhe raste të individëve që kanë apartamente me kontratë porosie apo sipërmarrje, por për shkak të problemeve që ka shoqëria ndërtuese me mosrespektimin e lejes së ndërtimit, hipotekimi i pallatit nuk kryhet. Parashikimi bën të mundur që edhe ky individ të ketë të drejtë të rivlerësojë pasurinë e tij” thuhet në relacionin që depozitoi Gjylameti.

Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, bëhet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme.

Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme.

Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme.

Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.

Tatimi i reduktuar në 3 për qind është aplikuar disa herë në Shqipëri, më së fundi në vitet 2020-2021.

Këtë herë ka një ndryshim sepse tatimi bëhet unik 3 për qind për individë dhe kompani ndërkohë që për këto të fundit ishte pesë për qind.

Në vitet 2020-2021 aplikuan për rivlerësim 56 mijë subjekte, kryesisht individë. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd