Pak pas mesditës së sotme në dalje të Tiranës, nxënësja e një shkolle private u pickua nga gjarpëri.
Policia që shkoi në vendngjarje tha se rreth orës 12:35, në Farkë, në ambientet e pasme të një shkolle private, një nxënëse e moshës 10 vjeçe, është pickuar nga një gjarpër.
E mitura aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Por çfarë ndodhi sot pranë shkollës WAT në Tiranë?
Redaksia e noa.al kërkoi më shumë informacion mbi incidentin e rrallë dhe foli me drejtuesen e institucionit arsimor jopublik.
Ajo tha se vajza u pickua jashtë territorit të shkollës:
"Nxënësja kishte shkuar në fund të rrethimit të shkollës, te gardhi dhe kishte nxjerrë dorën jashtë. Aty e pickon gjarpëri", thotë ajo.
Vogëlushja ka qenë në minuta të lira pushimi në ato momente bashkë me nxënës të tjerë, kur ndodhi kafshimi nga gjarpëri.
"Ne kemi pamjet filmike që ia dorëzuam dhe policisë në të cilat dallohet se si vajza nxori dorën jashtë gardhit dhe u sulmua nga gjarpëri", vijon ajo.
Incidenti është i rrallë, por dukuria e shfaqjes së gjarpërinjve në këtë zonë të Tiranës është e shpeshtë.
Pak javë më parë, nxënësit e një tjetër shkolle private që ndodhet në rrugën "3 Vëllezërit Kondi", u detyruan të kthejnë rrugë pasi u përballën me një gjarpër teksa ktheheshin nga një ekskursion tek Liqeni Artificial.
Ekspertët thonë se autoritetet qendrore dhe lokale si dhe vetë shkollat duhet të marrin masa dhe të hedhin periodikisht ilaç që mban larg gjarpërinjtë, për të mos rrezikuar fëmijët dhe stafet e tyre. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd