Transmetuar më 15-05-2024, 12:34

Rafa Leao, në një intervistë dhënë për Fabrizio Romano, zbuloi se kishte punuar për të sjellë një lojtar portugez te Milani. Anësori kuqezi, në fakt, qenka përpjekur ta bindte bashkatdhetarin e tij Joao Cancelo të kalonte te kuqezinjtë.

Përpjekje e dështuar, duke qenë se Cancelo ishte në pronësi të Manchester City dhe blerja e tij do të ishte padyshim e shtrenjtë: "Isha në ekipin kombëtar, po flisja me Cancelon. Ai kishte luajtur për Interin, por më tha:

Më pëlqen Milani, është një klub i mirë. Kësisoji, unë i thashë: Hajde. Ai m’u përgjigj se do të ishte e vështirë, sepse kartonin ia zotëronte Manchester City. Epoka e re e Milanit bazohet te lojtarët e rinj dhe me talent të madh, kështu që… "

Më pas, Leao tregoi edhe këshillën e çmuar të marrë nga Zlatan Ibrahimovic: “Le të flasim për mentalitetin gjatë stërvitjes…, gjërat që mund të duken të vogla si kontrolli i topit dhe pasimi. Zlatan më ndihmoi të isha më i përqendruar para portës, të gjuaja mirë. Ai nuk pushoi së foluri me mua, duke më thënë të qëndroja i përqendruar".

Portugezi është i vetëdijshëm se ende duhet të rritet në shumë aspekte: "Tani po përpiqem të përmirësoj finalizimin. Ndihem si një sulmues, si dikush që duhet të shënojë gola. Kam ende për t’u përmirësuar në këtë drejtim".

Së fundi, Leao shpjegon dallimin mes Milanit dhe klubeve të tjera: "Ky klub ka gjithçka; stadiumi, tifozët, pasioni, qyteti. Milani është një klub historik, ka fituar shumë Liga të Kampionëve, ka pasur lojtarë legjendarë e me talent. Te ky klub spikat aftësia për të luajtur me pasion”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd