Transmetuar më 15-05-2024, 10:47

Atalanta-Juventus, si në vitin 2021. Tri vite pas finales së fituar nga bardhezinjtë, Kupa e Italisë do të ndahet sërish nga ndeshja mes zikaltërve dhe “Zonjës së Vjetër”. Pasi mundën përkatësisht Fiorentinën dhe Lazion në gjysmëfinale, skuadrat e Gasperinit dhe Allegrit do të “përplasin brirët” sonte në “Olimpico” për trofeun e sezonit 2023-2024.

Finalja e vitit 2024 do të jetë padyshim ndryshe, duke marrë parasysh se si tri vite më parë Atalanta dhe Juventusi dolën në fushë gjatë pandemisë së Covid-19, me maska ​​dhe kufizime për tifozët. Tani, megjithatë, do të ketë një stadium të ngrohtë për t’i mirëpritur dy skuadrat.

Pas fitores së bukur në kampionat ndaj Romës, për Atalantën ka ardhur momenti i finales së parë, atë të Kupës së Italisë. Më vonë e pret edhe finalja e "Europa League" ndaj Bayer Leverkusen. Kundërshtari i skuadrës së Bergamos në stadiumin olimpik të Romës do të jetë Juventusi, i freskët nga një sërë rezultatesh negative.

Nëse fiton, ky do të ishte trofeu i parë i fituar nga Atalanta në epokën e Gasperinit. Për Atalantën kjo është finalja e tretë e Kupës së Italisë në pesë vitet e fundit, siç nënvizoi Gasperini në konferencën për shtyp:

"Ne jemi kokëfortë, këmbëngulim, kemi çdo qëllim për të fituar. Gjithmonë kam menduar se Kupa e Italisë ishte e vetmja e mundshme për një klub si Atalanta, sepse Liga e Kampionëve dhe titulli i Serie A duken shumë të largët.

Gasperini komplimenton lojtarët e tij për atë që kanë bërë: "Të luajturit shumë na ka ndihmuar. Ndoshta na ka hequr diçka në planin fizik, por na ka dhënë shumë gjëra të tjera pozitive. Merita iu shkon këtyre lojtarëve që kanë ruajtur një vullnet dhe forcë morale të pabesueshme, edhe pse po luajnë nga tri ndeshje brenda javës prej shkurtit".

Trajneri i Atalantës nuk i nënvlerëson bardhezinjtë: "Nëse është Atalanta më e fortë që kam stërvitur do ta shohim më vonë. Ky ekip është i ri, mund të bëhet edhe më i fortë në të ardhmen. A jemi favoritë? Ne arrijmë me entuziazëm të madh në këtë finale, por përballë do të kemi një ekip shumë të fortë. Juventusi është padyshim i fortë, mendoj se nuk ka dyshime për këtë".

Gasperini nuk do të mund të llogarisë Gianluca Scamacca, i cili është i skualifikuar: "Kjo mungesë do të na detyrojë të gjejmë zgjidhje të reja. Më vjen shumë keq për të, Gianluca u privua nga një finale".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd