TIRANË – Një zonjë e drejtuar në redaksinë e emisionit “Stop” në Tv Klan tregon se është dhunuar nga ish-vjehrra Flora Rexha dhe kushëriri i saj Artur Lleshi në 24 prill 2024. Para këtij episodi, ajo thotë se në 8 vjet martesë ka qenë e dhunuar psikologjikisht nga ish-vjehrra në mënyrë sistematike. Ish-bashkëshorti më shumë jetonte jashtë dhe zonja tentoi edhe të pinte helm duke tentuar vetëvrasjen pasi qëndronte e mbyllur dhe ish vjehrra nuk e linte as të shoqëronte fëmijët.
Në gjithë këtë situatë, denoncuesja kërkoi zgjidhjen e martesës në vitin 2018. Edhe pas divorcit problemet vazhduan, derisa në 24 prill zonja shkoi të merrte fëmijët pasi ia kishte lënë babait për Bajram. Në këtë moment ajo u dhunua në sy të fëmijëve nga ish-vjehrra dhe djali i saj i xhaxhait.
Qytetarja: I kishte marrë bashkëshorti fëmijët për festën e Bajramit dhe tha do t’i mbaj, ishte e shtunë dhe e diel për fëmijët. Ditën e diel në darkë, në orën 6 të darkës më marrin fëmijët, “nënë do vish të na marrësh të vijmë te shtëpia se babi është larguar larg, nuk vjen sonte të na sjellë”. Okej, u kam thënë, do vij mami t’ju marr dhe do ikim se jam sëmurë, do të shkojmë në spital. Atje ka dalë ish-vjehrra dhe me fjalë më ka ofenduar, çfarë ka dashur të më thotë si gjithmonë me fjalë. Më ka kapur prej flokësh, më ka goditur dhe ka patur edhe bishtin e fshesës në dorë. Më ka goditur, në ato momente më ra dobësi. Hyri motra dhe më ka dhënë ndihmën e shpejtë me fëmijët. Në ato momente ka hyrë Artur Lleshi dhe ai më ka goditur motrën, më pas ka goditur gocën, pas gocës më ka goditur edhe mua. Më ka dhënë grushta në stomak dhe më ka plasur edhe hemorragji gjaku në ato momente nga goditjet që kam marrë. U kam ikur, kam hipur në makinë me motrën, kam lënë fëmijët aty dhe kam ikur te policia. Kam bërë kallëzimin në polici dhe aty mbrapa në ato momente, policia më ka marrë e më ka çuar te Spitali i Kamzës. Kamza më ka nisur për në Ushtarak.
Gazetarja: Ku ishte babai i fëmijëve?
Qytetarja: Nuk ishte atje. Ishte diku larg.
Viktima e dhunës tregon se ka bërë kallëzim në komisariatin e Kamzës dhe ka përfunduar në Spitalin e Traumës. Nga ana tjetër agresori Artur Lleshi, jo vetëm që nuk është arrestuar, por ka kërcënuar babain dhe djalin e zonjës që të tërheqë denoncimin.
Gjykata e ka pajisur me urdhër mbrojtjeje zonjën dhe fëmijët nga dy dhunuesit./Tvklan.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd