Transmetuar më 14-05-2024, 11:29

Vrasja e efektivit 28-vjeçar, Novruz Cenalia ka tronditur ditën e djeshme opinionin publik.

Babai i Novruzit, Asllan Cenaliaj, punonte në sallën operative të Policisë së Fierit, kur fatkeqësisht mori lajmin tragjik gjatë kohës që ndodhej në punë për vrasjen e të birit.

Novruz Cenalia do të përcillet nesër për në banesën e fundit, ndërsa para ceremonisë mortore, në teatrin e Bylistit do të mbahen homazhe në nder të tij.

Autori i vrasjes, 23-vjeçari, Azgan Mërnica ndodhet ende në arrati, ndërsa vijojnë të mbeten të paqarta shkaqet që çuan në vrasjen e efektivit pak metra larg shtëpisë së tij.

Cenaliaj ndodhej jashtë orarit të shërbimit kur u ekzekutua pasi ishte turn i dytë. Deri më tani sipas policisë, pista kryesore e hetimit është konflikti i çastit. Dyshohet se fillimisht viktima ka debatuar me autorin Azgan Mërnica për një kalim rruge me makinë.

Ata kanë qenë duke kaluar të dy me automjet në rrugët e fshatit, kur janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe më pas konflikti ka degraduar në përdorimin e armëve.

Por gjithashtu ka dyshime se dyshja mund të jenë njohur edhe më herët, për shkak të detyrës së viktimës.

Sipas informacioneve vëllai i Azgan Mërnicës, Kiri Mërnica, aktualisht ndodhet në burg për tentativë vrasje. Ai u arrestua më 17 prill 2021 pasi bashkë me 3 të tjerë u përfshinë në një konflikt ku mbeti i plagosur Pashk Palnikaj.

Kiri Mërnica në kohën kur ndodhi plagosja ndodhej në ‘arrest shtëpie’ Mërnica akuzohet si i përfshirë në një ngjarje të ndodhur në vitin 2019, ku u vra me armë zjarri 23 vjeçari Florian Selimi, me origjinë nga Tropoja dhe banues po në fshatin Sulaj.

Ai u akuzua si një nga autorët e kësaj ngjarje, akuza që i mohoi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd