Transmetuar më 14-05-2024, 10:11

Ora 19:00, stadiumi “Arena Kombëtare”. Në këto dy "koordinata" do të jenë të sintonizuar futbolldashësit shqiptar ditën e sotme. Veçanërisht tifozët rrogozhinas dhe ata kuksianë do ta presin me ankth fundin e finales së Kupës së Shqipërisë, që do të zbulojë verdiktin madhor të këtij kompeticioni.

Egnatia, fituesja e Kupës së Shqipërisë në fuqi, do të “përplasë brirët” me Kukësin, skuadrën verilindore që ka rënë nga Superiorja. Sidoqoftë, këto “valenca” nuk ndikojnë shumë në të tilla finale, ku luhet gjithçka për gjithçka, ndaj fusha do të flasë më mirë.

Verilindorët, që pas 36 javësh u pozicionuan në vendin e fundit të Superiores dhe edicionin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë, kanë mundësinë teorike për ta mbyllur sezonin me trofe, por dhe për të marrë një biletë për në Kupat e Europës.

Skuadrës së Bledar Devollit nuk i mungon eksperienca e së kaluarës, pasi kjo është hera e pestë që arrin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Kuptohet, nuk ka pasur hallet dhe problemet e këtij sezoni, ndoshta që kur u ngjit në Superiore, ndaj edhe shihet si "outsider" në finalen e sotme. Në dy raste, kuksianët e kanë ngritur lart trofeun. Egnatia synon të mbrojë "kurorën", që e mban nga viti i shkuar.

Skuadra rrogozhinase ka qenë “macja e zezë” për Kukësin, këtë edicion. Në 4 ndeshjet e kampionatit, lojtarët e Edlir Tetovës kanë marrë maksimumin e pikëve. Plot 11 gola të shënuar për rrogozhinasit dhe vetëm 2 për verilindorët. Egnatia, për të mbërritur deri këtu ka eliminuar Vllazninë dhe Laçin, ndërsa në krahun tjetër, Kukësi ka likujduar befasisht dy ekipet e kryeqytetit, Partizanin dhe Tiranën.

Rrogozhinasit nuk kanë asgjë të sigurt në kampionat, edhe pse e kryesuan për gati 36 javë, ndaj duan me patjetër që ta fitojnë Kupën e Shqipërisë, që ta çojnë në shtëpi një trofe. Ndaj verilindorëve pa dyshim futen në fushë me petkun e favoritit, por në një ndeshje të vetme gjithçka mund të ndodhë.

Kësisoji, ky 90-minutësh, ndoshta edhe më shumë nëse nuk do të ketë fitues në kohën e rregullt, pritet me interes të madh. Sonte do të zbulohet fituesi i njërit prej trofeve kombëtarë për këtë sezon, rrjedhimisht edhe skuadra e parë shqiptare në Kupat e Europës.

Pastaj, e gjithë vëmendja do të fokusohet te “Final Four”, ku do të shpallet edhe ekipi kampion. Egnatia lufton në të dyja frontet, i synon të dy trofetë, sepse ka dominuar gjatë gjithë sezonit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd