Transmetuar më 14-05-2024, 09:40

Javier Tebas, presidenti i La Liga-s, ndodhet në Argjentinë për të marrë pjesë në ngjarje të ndryshme në vendin amerikano-jugor. Ai ka përfituar nga intervista në gazetën “Olé” për të bekuar kalimin e Kylian Mbappé në kompeticionin që drejton: “Ai do të luajë me Real Madridin sezonin e ardhshëm.

Kylian është një nga lojtarët më të mirë në botë. Por hej, mos harroni edhe Vinicius e Bellingham. Pra, Real Madridi do të ketë një skuadër të shkëlqyer. Sigurisht që kjo nuk jep garanci për t’i fituar të gjitha kompeticionet".

Tebas beson se Mbappé do të jetë në gjendje të fitojë Champions League duke luajtur për Real Madridin, gjë që i ka munguar gjatë viteve të tij te PSG: “Nëse kanë nënshkruar kontratë 5-vjeçare me Real Madridin, ai ka pesë sezone mundësish për ta fituar Ligën e Kampionëve, që i mungon deri tani”.

Javier Tebas iu referua edhe finales së 1 qershorit në “Wembley”, të cilën skuadra e Carlo Ancelotti do ta luajë kundër Borussia Dortmund për kampionin e ri të Europës: "Epopeja është diçka që mund të thuhet se ekziston brenda Real Madridit, sepse ndodh sezon pas sezoni”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd