
Skënderbeu ishte skuadra e fundit që iu bashkua “Final Four”, ndaj do të shpresojë edhe ajo te tituli kampion. Natyrisht, skuadra korçare nuk mund të luajë në Kupat e Europës, sepse është e dënuar me 10 vite mospjesëmarrje në të tilla kompeticione nga UEFA, por nuk do t’i bënte keq paraqitja sa më mbresëlënëse dhe të ardhurat financiare nga kjo skemë e re esktra e Superiores.
I pranishëm në shortin e sotëm, ku goglat e vendosën përballë Partizanit, presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, e komentoi përballjen gjysmëfinale me të kuqtë: “Ky ishte një sezon i bukur, ndërtuam një skuadër me djem të rinj dhe të talentuar.
Është diçka e madhe për ne dhe qytetin kjo arritje. Të gjithë investojnë në mënyrat e veta. Titulli është një gjë e madhe për ne dhe qytetin e Korçës, do ta synojmë atë. Në “final four” do të jetë luftë e madhe. Kemi edhe 3 vite nga dënimi i UEFA-s, por këto janë si ndeshje finale.
Nuk do të mungojë motivimi për këto ndeshje, do të japim gjithçka. Gjithë ky sezon i mundimshëm do të kurorëzohet në “Arena Kombëtare”. Nuk i trembemi askujt, do të paraqitemi sa më mirë”.
Ja dhe deklarata e trajnerit Ivan Gvozdenovic: "Jemi në ‘Final 4’ dhe kemi besim që do ta fitojmë kampionatin. Për shortin nuk mund të them asgjë, pasi të gjitha skuadrat ishin shumë të forta. Do të përballemi me Partizanin në datën 17, kemi 4 ditë kohë për ta përgatitur ndeshjen. Kemi një besim të madh që mund të dalim kampion, ky është objektivi i Skënderbeut.
Jemi të motivuar, stadiumi është shumë i bukur, atmosfera do të jetë e bukur me shumë tifozë. Jam i sigurt se nuk do të vijnë vetëm nga Korça, por edhe Tirana, Durrësi, Fieri e Shkodra. Jam i sigurt që jemi gati.
Deri tani puna ishte e mirë jo vetëm nga unë, por edhe nga lojtarët. Shehi si kundërshtar? Kemi luajtur 3 vite bashkë, Orgesi ishte kapiten, unë isha lojtar, ishim shumë të suksesshëm, por tani kemi tjetër gjë. Do të shohim, deri tani me statistika kundër Partizanit jemi mirë, por do të shikojmë. Ndoshta është një paralajmërim për Partizanin, ata e dinë, jo unë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





