Transmetuar më 13-05-2024, 12:46

Shorti u hodh, skuadrat pjesëmarrëse morën vesh kundërshtarët e tyre në gjysmëfinalet e “Final Four”. Po kështu tifozëritë respektive, por edhe opinioni futbolldasësh shqiptar. Tashmë, me mbarimin e 36 javëve kampionat, sytë e të gjithëve janë nga “Arena Kombëtare”, ku do të zhvillohet njëlloj “play off”-i special, diçka shtesë në skemën ekzistuese deri sezonin e kaluar, për të përcaktuar kampionin e ri të Shqipërisë në futboll.

FOTO/ Katër trajnerët e skuadrave të “Final 4”

Goglat e përziera mesditën e sotme nga FSHF-ja, në prani të përfaqësuesve të katër klubeve ende në garë, kanë zbuluar edhe dy çiftet gjysmëfinaliste, që janë: Egnatia-Vllaznia dhe Partizani-Skënderbeu. Sipas paracaktimeve të federatës, të gjitha ndeshjet e “Final Four” do të luhen në “Arena Kombëtare”, në periudhën 17-26 maj.

Gjysmëfinalja e parë, Partizani-Skënderbeu, do të luhet më datë 17 maj, duke nisur nga ora 20:00, ndërsa gjysmëfinalja tjetër Egnatia-Vllaznia në po të njëjtën orë, më 19 maj. Finalja për vendin e tretë/katërt është programuar të luhet më 24 maj, ora 19:00, ndërsa finalja e madhe për titullin kampion më 26 maj, ora 19:00.

SI FUNKSIONON “FINAL 4”

Ekipet pjesëmarrëse

4 vendet e para të Superiores në përfundim të kampionatit të rregullt.

Shorti

Ekipet ndahen në dy vazo, vazo 1 (vendi i parë dhe i dytë), vazo 2 (vendi i tretë dhe i katërt) dhe përmes shortit përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste.

Gjysmëfinalet

Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë.

Finalet

Ekipet e kualifikuara nga gjysmefinalet luajnë për titullin kampion, ndërsa ekipet humbëse për vendin e tretë.

ÇFARË PËRFITOJNË KLUBET SPORTIVISHT

Vendi i parë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Champions League

Vendi i dytë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i tretë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i katërt në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League nëse Kupa e Shqipërisë fitohet nga një prej tre ekipeve të para në Final 4

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd