Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka dalë me një reagim zyrtar, pas kritikave që mori presidentja e sapo zgjedhur e vendit Gordana Siljanovska-Davkova e cila përdori emrin "Maqedoni" në vend të "Maqedoni e Veriut".
Në reagimin e ministrisë thuhet se vendi do të respektojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe marrëveshjen e Prespës të nënshkruar me Greqinë.
“Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon orientimin e qartë të vendit në respektimin pa mëdyshje të dispozitave kushtetuese si dhe të të gjitha obligimeve të ndërmarra ndërkombëtarisht, si respektimi i plotë i Marrëveshjes për Partneritet Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, e njohur si Marrëveshja e Prespës. Gjatë shtatë viteve të fundit, dy vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar në një rritje të disafishtë të bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes qytetarëve. Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe avancimin e Partneritetit Strategjik në Dialog Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në deklaratë.
Reagimet erdhën pasi Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë betimit të saj të Parlament pasi fitoi zgjedhjet më 8 maj në vend të “Maqedonia e Veriut”, siç është emri i ri i vendit pas marrëveshjes me Greqinë, ajo përdori emrin “Maqedoni”. Kjo solli reagime jo vetëm të kryeministrit grek Kyriakos Mitostakis, i cili e cilësoi si provokim nga presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, por reagime ka pasur nga BE si edhe nga Bullgaria, të cilët kanë bërë thirrje që të respektohet marrëveshja e Fqinjësisë së mirë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd