
Një autobus që transportonte më shumë se 60 studentë dhe mësues u përplas në ishullin më të madh të Indonezisë, duke vrarë të paktën 11 persona. Policia lokale thotë se nëntë nga personat që vdiqën ishin nxënës. Shkaku i aksidentit është ende nën hetim
Java, Indonezi, 12 Maj 2024 /noa.al- Të paktën 11 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi një autobus që transportonte nxënës të shkollave të mesme në një udhëtim diplomimi u përplas në Java, ishullin më të madh të Indonezisë.
Autobusi po transportonte më shumë se 60 studentë dhe mësues nga qyteti Depok i ishullit Java për në Lembang, një pikë e njohur turistike.
Ai u rrëzua në orën 18:48, me orën lokale, të shtunën, raporton noa.al duke cituar mediat lokale.
Nxënësit sapo kishin festuar diplomimin e tyre dhe ishin në një udhëtim shkollor kur autobusi papritur humbi kontrollin dhe u anua në të majtë, duke u përplasur me një makinë dhe tre motoçikleta, tha të dielën zëdhënësi i policisë së provincës Java Perëndimore Jules Abraham Abast.
"Nga pasagjerët që vdiqën, nëntë prej tyre ishin studentë dhe njëri prej tyre ishte mësues," tha Abast.
Nga aksidenti ka humbur jetën edhe një motoçiklist, 13 persona janë lënduar rëndë dhe 40 të tjerë kanë lëndime të lehta, shtoi ai.

Aksidenti në IndoneziPamjet: AFP
Shefi i policisë lokale të trafikut Undang Syarif Hidayat i tha transmetuesit Kompas se dyshimet janë që frenat e autobusit nuk funksiononin përpara përplasjes.
Policia është ende duke hetuar shkakun e aksidentit.
Aksidentet vdekjeprurëse të trafikut janë të zakonshme në Indonezi, ku automjetet janë shpesh të vjetra ose të mirëmbajtura keq, ndërsa rregullat rrugore injorohen në mënyrë rutinore.
Muajin e kaluar, të paktën 12 persona u vranë kur një makinë u përplas me një autobus dhe një makinë tjetër në një autostradë të frekuentuar në Java perëndimore, ndërsa njerëzit udhëtonin për të festuar Fitër Bajramin me të afërmit në fund të muajit të shenjtë islamik të Ramazanit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





