Transmetuar më 11-05-2024, 14:32

Nesër duhet mposhtur Salernitana për ta siguruar matematikisht kualifikimin në Ligën e Kampionëve të ardhshëm, një objektiv i deklaruar sezonal për Juventusin. Massimiliano Allegri është i fokusuar në atë që duhet të bëjë pikërisht nesër, pavarësisht finales së Kupës së Italisë në horizont ndaj Atalantës.

Ai dëshiron që bardhezinjtë të qëndrojnë në rrugën e duhur, pas një serie negative prej 14 pikësh në 14 ndeshje: "Ne mund dhe duhet të kishim bërë më shumë, por tani mendojmë vetëm mposhtjen e Salernitanës dhe arritjen e qëllimit, zonën Champions, gjë që nuk është e sigurt. Pastaj do të mendojmë për finalen e Kupës së Italisë”.

Trajneri livornez nuk tha asgjë për të ardhmen e tij, pavarësisht se falënderoi tifozët për mbështetjen e tyre ditët e fundit. Në lidhje me ndeshjen në “Allianz Stadium”, që do të startojë nesër prej orës 18:00, Allegri paralajmëroi: “Chiesa dhe Yildiz nuk po ndihen shumë mirë, unë do ta vendos formacionin pasi të arrij në stadium, në minutën e fundit, pasi të shikoj situatën e gjithsecilit lojtar. Djalò mund të luajë”.

Mes kampionatit dhe Kupës së Italisë janë katër ditë të rëndësishme…

Po i afrohemi mirë ndeshjes, e rëndësishme është të përpiqemi ta mbyllim nesër objektivin e parë dhe më pas të përgatitemi si duhet për finalen ndaj Atalantës.

A keni frikë se Salernitana mund të nënvlerësohet?

Ndeshja më e rëndësishme është ajo më e afërt. Ne nuk mund ta nënvlerësojmë Salernitanën, sepse do të ishte mungesë respekti. Ndeshjet duhet të fitohen në fushë. Nëse nuk fitoni, nuk do t’i merrni pikët e duhura. Nesër do të jetë ndeshje mjaft e rëndësishme, aspak e lehtë. Na duhet vëmendje dhe respekt për Salernitanën.

A do të bëni rotacion në formacion?

Nesër formacioni më i mirë do të dalë në fushë për të luajtur kundër Salernitanës. Pastaj, pas Salernitanës, do të mendojmë për finalen ndaj Atalantës. Ne kemi Alex Sandro, De Sciglio dhe Danilo jashtë. Dy prej tyre duhet të kthehen kundër Atalantës. Chiesa dhe Yildiz janë prekur nga një virus.

Çfarë gabimi do të donit të mos e kishit bërë këtë sezon?

Tani për tani duhet të qëndrojmë të fokusuar te ndeshja e nesërme dhe finalja e Romës. Pastaj, në fund të sezonit do të bëjmë një bilanc, si çdo vit, me stafin. Ky vit ishte i parregullt sepse nuk luajtëm në Ligën e Kampionëve.

Çfarë mendoni për fjalët e fansave?

Sa iu përket tifozëve, unë jam shumë i kënaqur. Jam i lumtur, jam i kënaqur. E rëndësishme është që nesër, mbi të gjitha, do t’i mbështesin djemtë. E nesërmja është e rëndësishme për Juventusin, ky ekip duhet të kthehet në Ligën e Kampionëve.

Pse e keni kaq të vështirë të fitoni?

E thashë edhe më parë, le të presim fundin e sezonit për ta vlerësuar rrugën tonë. Ka shumë arsye, ka shumë kombinime. Mund dhe duhej të kishim bërë më mirë.

Si është atmosfera në dhomat e zhveshjes?

Gjithmonë kam preferuar të luaj çdo tri ditë, sepse lodhja mund të menaxhohet. E nisëm me dy objektiva: hyrjen në Ligën e Kampionëve dhe finalen e Kupës së Italisë. Duhet të përballemi me këtë finish sezoni me qartësi, gjakftohtësi dhe qetësi. Do të jetë e vështirë, të gjitha ndeshjet duhet të fitohen në fushë.

A po provoni diçka ndryshe? A mund të luajë Djalò?

Për momentin, më e rëndësishmja është Salernitana. Djalò është më mirë, ai gjithashtu mund të luajë. Me Danilo dhe Alex Sandro jashtë kam 4 mbrojtës gati, 3 prej tyre do të luajnë. Do të duhet t’i vlerësoj nesër.

Një koment për fjalët e Sacchi…

Pyetni Arrigo për dallimet, ai ishte një njeri i rëndësishëm për futbollin. Kjo duhet të kërkohet prej tij, nuk e di. Janë të gjitha fjalë që i lihen kohës për t’u vlerësuar. Arrigo duhet falenderuar, ishte një novator, në atë moment duhej të ndryshonte diçka.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd