Transmetuar më 11-05-2024, 10:07

Sot luhet java e fundit, e 36-ta, e Kategorisë Superiore. Ka verdikte për t’u zbardhur, mes të cilave edhe skuadra e katërt, e cila do të marrë pjesë në "final four". Për momentin, në këtë lloj "play off"-i ekstra, pas 4 fazave kampionat, janë kualifikuar Egnatia, Partizani dhe Vllaznia.

Sfidat e sotme do ta kompletojnë këtë "poker" skuadrash, nga ballafaqimi mes tyre, pas zerimit të pikëve, do të dalë edhe kampioni i ri i vendit.  Ndeshja mes Partizanit dhe Erzenit do të jetë formalitet, me shijakasit që kanë rënë në Kategorinë e Parë, ndërsa të kuqtë do të jenë me mendjen te "final four". Trajneri Orges Shehi tha në konferencën për shtyp.

Përballja ndaj Erzenit – "Fitoret janë fitore dhe sigurisht na ndihmojnë për moralin, aq më tepër kur janë në vazhdimësi. Kemi marrë maksimumin, jemi ngjitur në vendin e dytë, atë që kërkonim prej kohësh. Na duhet edhe një sforco, motivimi dhe karikimi i duhur për ta mbyllur kampionatin prej 36 javësh e më pas për të luajtur “final four”.

Ngjeshja e ndeshjeve dhe aspekti fizik – "Ne e dinim që fundi i kampionatit do të kishte ngjeshje ndeshjesh. Jemi munduar që të bëjmë rotacion të pjesshëm, pa prishur strukturën e skuadrës. Ndaj Erzenit na rikthehet edhe Maget, i cili ishte i pezulluar për arsye kartonësh".

Erzeni në raport me Kukësin – "Janë dy skuadra që për fatin e tyre të keq kanë zbritur një kategori më poshtë, matematikisht. Ndeshjet kanë veçori të ndryshme, pasi ndaj Kukësit luajtëm në fushë kundërshtare, kurse ndaj Erzenit luajmë në fushën tonë. Mendoj se Erzeni ka lojtarë më cilësorë se Kukësi në përbërje. Lojtarë që shumë mirë mund të luajnë në çdo skuadër të Superiores".

Impenjim ndryshe i skuadrës – "Për herë të parë luajmë në një kampionat të tillë që, pas 36 javësh, do të ketë edhe një ‘final four’, ku do të vendoset titulli kampion. Aty do të jetë edhe përqëndrimi më i madh. Të gjitha skuadrat kanë kaluar një pauzë në rezultate ose jo, nuk kanë pasur impenjimin e duhur, sepse kanë menduar që ‘final four’ do të jetë gjithçka. Mendoj që edhe ne kemi pasur momente të tilla, por kemi qenë të penalizuar edhe nga dëmtimet, që nuk na janë ndarë. Shpresoj që në këtë pjesë të rëndësishme të kampionatit të na rikthehen të gjithë, sidomos Cara dhe Taipi. Taipi është bashkuar të enjten me grupin, por nuk duam ta rrezikojmë ndaj Erzenit. Cara është stërvitur veçmas dhe ende nuk është bashkuar me grupin".

Synimi në këtë ndeshje – "Ne kërkojmë që ta ruajmë këtë vazhdimësi të fitoreve. Sot që flasim jemi të dytët, duhet me patjetër ta mbajmë këtë pozicion. Kjo do të thotë që 3 pikët ndaj Erzenit janë detyrim. Nuk mendoj se skuadra do të jetë në presion, sepse çdo gjë e kemi në dorën tonë".

4 fitore radhazi – "Na vjen mirë që në këtë pikë të rëndësishme të sezonit vijmë me një seri fitoresh. Sigurisht që nga ana psikologjike është një plus. Mos harrojmë që hyjmë në një fazë ku edhe fati ka rolin e vet. Arritja në dy vendet e para është edhe një nga objektivat, duke pasur parasysh edhe formulën. E rëndësishme është ta mbyllim me fitore ndaj Erzenit".

Misioni i Partizanit për të ndërtuar një cikël si Skënderbeu – "Ka gjëra të përbashkëta, kushtet e mira të punës, nuk na mungon asgjë. Kemi ambicien e drejtuesve që të jemi gjithmonë në majë. Ata nuk kursehen për çdo gjë që i nevojitet klubit dhe synojnë përherë objektiva të mëdha. Një e përbashkët tjetër është që ky Partizan ka lojtarë cilësorë, si atëherë kur luaja unë. Ndryshimi është se atëherë ishim shumë lojtarë të pjekur në moshë, kishim shumë vite dhe eksperincë mbi supe. Mendoj se të kesh një bosht, një skuadër që të luajë për shumë vite bashkë, është e vështirë edhe për shkak të tregut dhe ofertave. Kushtet janë, shpresojmë ta fitojmë edhe këtë kampionat, pastaj vazhdimësia bëhet më e lehtë. Duhet të kesh bazën e mirë, të kesh njerëz që janë ambiciozë, pastaj çdo gjë arrihet".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd