
Probleme për Botërorin e ri të Klubeve me 32 ekipe, i cili do të debutojë në SHBA në vitin 2025. Ky kompeticion do të shohë gjithashtu 12 ekipe evropiane në vijën startuese, duke përfshirë italianët (Inter dhe Juventus).
Sindikata ndërkombëtare e futbollistëve, "Fifpro", dhe organizata e Ligave Botërore në fakt kanë kërcënuar me veprime ligjore kundër FIFA-s, nëse turneu do të luhej sipas planeve të shpallura.
Në mënyrë të detajuar, të dyja organizatat i dërguan një letër të përbashkët organit më të lartë të futbollit botëror për të kërkuar ricaktimin e eventit të planifikuar tashmë për në qershor 2025, duke nënvizuar gjithashtu se kishin përdorur këshilla ligjore për të mbështetur kërkesën.
Një qëndrim i bujshëm, që rrezikon të shkaktojë betejë të ashpër mes palëve. Sipas "The Times", "Fifpro" dhe "World Leagues" kanë theksuar ngjeshjen e kalendarit të FIFA-s, dëmtimin ekonomik të ligave kombëtare dhe rreziqet e rëndësishme të lëndimeve për futbollistët.
Një qasje e pasuruar nga akuza ndaj FIFA-s për marrjen e vendimeve që përfitojnë vetëm interesat e saj komerciale. Zyrtarizohet kësisoji kërkesa formale për të riplanifikuar Botërorin e Klubeve, temë diskutimi në mbledhjen e Bangkokut, javën e ardhshme.
Por kjo nuk është e gjitha. Përveç nxjerrjes në pah të problemeve të Botërorit të ri të Klubeve, i planifikuar aktualisht nga 15 qershori deri më 13 korrik, "FIFpro" dhe "World Leagues" po kërkojnë edhe anulimin e Kupës së vjetër të Botës për Klube, të riemëruar “Kupa Ndërkontinentale”.
“Nëse FIFA refuzon zyrtarisht të angazhohet për zgjidhjen e çështjeve në këshillin e saj të ardhshëm, ne do të jemi të detyruar t’i këshillojmë anëtarët tanë për opsionet në dispozicion të tyre, si individualisht, ashtu edhe kolektivisht, për të mbrojtur në mënyrë proaktive interesat e tyre, – thuhet në letrën dërguar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
– Këto opsione përfshijnë veprime ligjore kundër FIFA-s, për të cilat ne tani kemi marrë këshilla adekuate. FIFA ka marrë vazhdimisht dhe në mënyrë të vazhdueshme vendime të njëanshme, falë të cilave përfitojnë interesat e saj tregtare, ndërkohë që dëmtojnë ligat kombëtare dhe lojtarët. Për një periudhë të konsiderueshme, FIFA ka injoruar përpjekjet e përsëritura nga ligat dhe sindikatat për të adresuar këtë çështje".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





