
Xabi Alonso konfirmoi shkathtësinë taktike të Bayer Leverkusen kundër Romës, në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të “Europa League”. Trajneri spanjoll tregoi respekt për Daniele De Rossi në ndeshjen e parë, duke përdorur një ‘9 fals’, por edhe pse e ruajti skemën mbrëmë, ishte Hlozek që e nisi si qendërsulmues dhe jo Victor Boniface.
“Kemi bërë disa ndryshime. Disa lojtarë nuk mundën të luanin që në fillim. Ne po përballeshim me një ekip të mirë, nuk mund ta merrnim kualifikimin si të mirëqenë. Fakti që u gjendën në disavantazhin 2-0 e dëshmon potencialin real të Romës. Çdokush mund të luante sulmues. Ne donim të mbushnim boshllëqet dhe të luanim midis linjave. Në futbollin modern nevojitet ekuilibër i mirë midis pasionit dhe inteligjencës”.
Xabi Alonso e ka fituar tashmë Bundesligën, është në finalen e Kupës së Gjermanisë dhe “Europa League”. Pra, mund të triumfojë me tipletë sezonale: “Të gjithë duam më shumë. Tifozët na shtynë edhe më shumë drejt Dublinit. Deri më tani kemi qenë shumë mirë, por nuk duam të ndalemi. Rekordi i pamposhtmërisë prej 49 ndeshjesh është pasojë e punës që po bëjmë”.
Mbi ndeshjen, që përfundoi 2-2 në “Bayer Arena”, trajneri spanjoll nënvizoi: “A e kisha imagjinuar ndonjëherë se do të ishte kaq e vështirë? Po, e imagjinoja, tashmë ishte e vështirë qysh në Romë. Pësuam dy gola nga episodet, nuk duhet të harrojmë atë që krijuam.
Më pëlqeu shumë reagimi i skuadrës sime. Vitin e kaluar u afruam me finalen, këtë vit e arritëm atë. Tashmë, në finale do të takohemi sërish me një kundërshtar italian. Atalanta drejtohet nga Gasperini për shumë vite, është një skuadër e konsoliduar. Do të jetë mirë t’i sfidojmë ata”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





