Transmetuar më 09-05-2024, 12:56

Daniele De Rossi përpiqet të karikojë të tijtë përpara Bayer Leverkusen-Roma, ndeshjen e dytë gjysmëfinale të "Europa League". "Ne besojmë ende te përmbysja dhe kualifikimi. Natyrisht, e dimë se do të jetë e vështirë, por kemi ardhur këtu për të fituar, – ishin fjalët e trajnerit verdhekuq në konferencë për shtyp, i thirrur të përmbysë disavantazhin 2-0 të "Olimpico".

– Nëse Dybala do të mundet, do të luajë patjetër. Askush nuk do të ruhet në funksion të ndeshjes ndaj Atalantës. Kjo ndeshje është e rëndësishme për ne dhe nuk mund ta nënvlerësojmë".

Duke u ndalur te sfida vendimtare ndaj Atalantës, pyetja për fjalët e Gasperinit, për shtyrjen e ndeshjes mes skuadrës bergamaske dhe Fiorentinës, ishte e pashmangshme: “Unë isha i përgatitur për këtë pyetje, por do të flasim për këtë para ndeshjes kundër Atalantës. Tani le të mendojmë për Leverkusen. Këto gjëra kanë pak të bëjnë me futbollin, kanë më shumë vlera njerëzore".

De Rossi më pas shpjegoi se si synon t’i përgatisë lojtarët e tij për betejën: "Ndonjëherë unë përgatis diçka si fjalim, ndonjëherë them atë që më vjen. Përpara Barcelonës (çerekfinales së Ligës së Kampionëve 2018, në të cilën verdhekuqtë përmbysën disavantazhin 4-1) iu thashë shokëve të mi se u besoja atyre. Mund t’iu them të njëjtën gjë lojtarëve të mi, ata më sollën këtu falë paraqitjeve të tyre".

Në çdo rast, sipas De Rossit, nuk ka një formulë magjike për ta kthyer situatën: "Do të na duhet patjetër forcë mendore. Pak durim dhe shumë vëmendje. Nuk ka më vend për gabime, nuk mund të bëjmë më gabime".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd