
"Topi i Artë" i fituar në vitin 1986 nga Diego Armando Maradona do të dalë në ankand më 6 qershor në "Aguttes", kompani e specializuar me qendër në Paris. Siç dihet, ajo u vodh më 26 tetor 1989 nga anëtarët e klanit mafioz napoletan "Giuseppe Misso", gjatë një grabitjeje në bankën që mbante asetet e "Pibe de Oro".
Legjenda argjentinase ishte përpjekur në çdo mënyrë për ta rikthyer atë, por nuk ishte në gjendje ta bënte këtë sa ishte gjallë. Ai trofe u zhduk nga skena për 35 vite, por më pas u rishfaq pothuajse nga hiçi, praktikisht kur përkonte me një kërkesë të veçantë të vajzave të tij.
Duhet nënvizuar se Maradona nuk e fitoi kurrë "Topin e Artë" si lojtari më i mirë në botë (çmimi në atë kohë nuk merrte në konsideratë lojtarët jo-evropianë), por megjithatë fitoi dy të tillë: më 1995 atë të nderit nga "France Football" për gjithë arritjet e karrierës dhe më 1986 si lojtari më i mirë i Kupës së Botës në Meksikë.
"Topi i Artë" i Maradonës u gjet më 28 janar nga franko-argjentinasi Abdelhamid B, një ish-pronar i galerisë së artit dhe entuziast i ankandeve. Vetëm më 2 prill u konfirmua autenticiteti i tij, me lajmin e publikuar më pas më 6 maj në gazetën franceze "L’Equipe".
Tani ka filluar gara për ta blerë atë trofe në ankand. Me siguri ndonjë milioner do ta marrë në shtëpi atë, në ankandin e planifikuar për në qershor në Paris. Vlera e "Topit të Artë" të Maradonës vlerësohet midis 12 dhe 15 milionë eurove.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





