Transmetuar më 24-04-2024, 10:36

Skandal në Premier League. Policia bastisi terrenin stërvitor të një ekipi të ligës angleze për të marrë në pyetje dy futbollistë, të cilët u arrestuan më pas me akuzat për sulm seksual dhe nxitje përdhunimi. Këtë e ka raportuar tabloidi britanik “The Sun”, i cili raporton se kur oficerët mbërritën, vetëm njëri nga dy lojtarët e akuzuar ishte i pranishëm në fushën e stërvitjes.

Ky i fundit do të dërgohej në një dhomë në qendrën sportive dhe do të merrej në pyetje, pasi dyshohej se kishte marrë pjesë së bashku me një shok skuadre në një përdhunim të ndodhur natën e së premtes së 19 prillit.

Sipas raportit të detajuar, të bërë të ditur nga “The Sun”, pas marrjes në pyetje, futbollisti i akuzuar për sulm seksual dhe ndihmesë në përdhunim, për të cilin për momentin dimë vetëm se është 19 vjeç, është lënë i lirë të kthehet në shtëpi, ku disa orë më vonë u arrestua.

Lojtari më pas do ta kalonte natën në një qeli dhe do të merrej përsëri në pyetje nga hetuesit. Të nesërmen një tjetër futbollist që luante për të njëjtën skuadër të Premier League, gjithashtu 19 vjeç, u mor në pyetje dhe u arrestua nga policia me akuzën e përdhunimit.

Të dy, sipas asaj që policia raportoi për tabloidin anglez, u liruan me kusht në pritje të hetimeve të mëtejshme në lidhje me akuzat për përdhunim, të raportuara nga “viktima” pak orë pas ngjarjes.

“Meqë çështja është tani në duart e policisë, klubi nuk do të bëjë asnjë koment për këtë çështje në këtë moment”, – ishte deklarata e vetme e lëshuar nga klubi i Premier League, në të cilin luajnë të dy lojtarët e akuzuar për sulm seksual.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse në pritje të përfundimit të hetimeve ndaj tyre, dy lojtarët 19-vjeçarë do të vazhdojnë të stërviten dhe të luajnë me skuadrën apo nëse në vend të kësaj do të pezullohen derisa të sqarohet përfundimisht pozicioni i tyre.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd