Transmetuar më 24-04-2024, 09:35

Hakan Sukur, një nga golashënuesit më të mirë në historinë e futbollit turk (51 gola me kombëtaren) dhe autor i 295 golave ​​me Galatasaray, në moshën 51-vjeçare nuk mund të shkelë në Turqinë e presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Ish-futbollisti është i persekutuar në vendin e tij për lidhjet politike të dyshuara me klerikun Fethullah Gulen (u përpoq të rrëzonte Erdoganin me një grusht shteti dhe të gjithë ata që kishin lidhje me të u shpallën terroristë të FETO-s), pasi tha në një konferencë: “Unë jam shqiptar, si i tillë, nuk jam turk” dhe për akuzën se ka fyer Erdogan.

Ndaj Hakan Sukur, i akuzuar si terrorist, është lëshuar një urdhër-arresti, ndaj ish-sulmuesi i famshëm është dashur të largohet nga Turqia nga frika e burgut apo e dënimit me vdekje. Babai i tij ka qenë i burgosur dhe ka vdekur në burg.

“Nuk më ka mbetur asgjë askund në botë. Erdogan më mori gjithçka. E drejta ime për liri, e drejta për t’u shpjeguar, për t’u shprehur, e drejta për të punuar”, – do të deklaronte Sukur.

Ish-futbollisti i skuadrave të tilla si Sakaryaspor, Bursaspor, Galatasaray, Torino, Inter, Parma dhe Blackburn Rovers arriti të arratisej nga Turqia, një vend që ia hoqi kombësinë dhe i sekuestroi bizneset e llogaritë e bankare. Për këtë arsye emigroi në SHBA.

“Është vendi im. Unë i dua njerëzit e mi, edhe pse idetë e tyre për mua janë të shtrembëruara nga mediat e kontrolluara”, – do të shprehej Sukur për "New York Times" në vitin 2018. Aktualisht ai është 51 vjeç, jeton në Kaliforni dhe ia del mbanë si shofer Uber, librashitës dhe trajner i futbollit të të rinjve.

Shënuesi i golit më të shpejtë në historinë e Kupës së Botës (shënoi kundër Koresë së Jugut pas 11 sekondash në Kupën e Botës 2002), e filloi aventurën e tij amerikane në Washington derisa u zhvendos në afërsi të San Franciscos. Para se të bëhej shofer Uber, ai hapi një kafene dhe një furrë buke, por u detyrua t’i mbyllte për shkak të presionit që ndjeu nga identiteti i tij.

“Kurrë nuk kam bërë asgjë të paligjshme, nuk jam tradhtar apo terrorist”, – thotë Hakan Sukur, i cili u tërhoq nga futbolli në vitin 2008, për arsyet që e detyruan të largohej nga Republika e Turqisë e udhëhequr nga Recep Tayyip Erdogan.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd