KOSOVË-Një gjykatë në Prishtinë dënoi të martën me gjithsej 62 vjet heqje lirie gjashtë persona për përdhunimin e një të miture në vitin 2022.
“Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi kanë kryer veprën penale të dhunimit. I akuzuari B.RR është dënuar me dymbëdhjetë vjet heqje lirie, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar me nga dhjetë vjet heqje lirie”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Dy nga të akuzuarit janë liruar. Të gjithë ishin akuzuar në dhjetor të vitit 2022 nën dyshimin për përfshirje në përdhunimin e një 11 vjeçareje në qershor të vitit 2022 në Prishtinë.
Ngjarja e denoncuar nga familja e viktimës dy vjet më parë, kishte nxitur reagime të ashpra të institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Fillimisht autoritetet thanë se e mitura ishte përdhunuar në gusht të vitit 2022 në një park në Prishtinë, por hollësitë e paraqitura më vonë treguan se ndaj të miturës janë kryer disa raste të përdhunimit në një periudhë mbi një vjeçare.
Publikimi i këtij rasti u pasua me protesta të njëpasnjëshme në Kosovë mes shqetësimeve për shkallën e ultë të sigurisë së grave e vajzave në vend dhe trajtimin rasteve të dhunës ndaj tyre nga autoritetet. Ngjarja bëri që drejtori i atëhershëm i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe shefi i drejtorisë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve, Ali Gashi, të japin dorëheqje./VOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd