Transmetuar më 23-04-2024, 10:30

"El Clasico" e fundit duket e destinuar të shkaktojë diskutime edhe pas luajtjes së saj, të dielën mbrëma. Real Madridi u largua nga "Bernabeu" me tri pikët, por Barcelona protestoi shumë për "golin fantazmë" të Lamine Yamal.

Në La Liga nuk ka teknologji të vijës së portës (goal line) dhe nuk ka asnjë mundësi zyrtare që konfirmon nëse topi ka kaluar plotësisht vijën fatale për t’u konsideruar gol. Një situatë që ndezi zemërimin e blaugranëve dhe presidentit të Barçës, Joan Laporta:

"Siç e dini, unë nuk kam qenë kurrë një mbrojtës i madh i VAR-it, sepse besoj se ashtu siç zbatohet, ai heq spontanitetin nga futbolli. Por ajo për të cilën jam pro është që, pasi e kemi implementuar, duhet të përdoret gjithmonë për të shmangur gabimet që mund të çojnë në marrjen e vendimeve të padrejta.

Me këtë paraqitje që po bëj, jo vetëm dua të pasqyroj shqetësimin e tifozëve të Barcelonës për menaxhimin e dobët që u bë me VAR-in në ‘El Clasico’, por të theksoj se se është një mjet që prej kohësh vazhdon të shkaktojë konfuzion, përdor kritere kontradiktore në varësi të palëve dhe ekipeve. Si president i Barcelonës dua të theksoj gjithashtu fuqinë e kompeticionit tonë.

Jemi një ligë e suksesshme, e ndjekur nga miliona tifozë kudo në botë, por kjo nuk do të thotë që mund të mbetemi të paprekur nga kritikat, kur përdorimi i VAR-it nënvlerëson situata si te penalltia e paqenë e Realit ndaj nesh".

Presidenti blaugrana i është referuar edhe rastit kontrovers të minutës së 28-të, në të cilën Lunin e largoi topin e goditur nga Lamine Yamal përtej vijës fatale: “Ne e kuptojmë vështirësinë e punës së arbitrit, por pikërisht për këtë arsye ka mjete (si p.sh. VAR). Teknologjia duhet të ndihmojnë për të pasur një konkurrencë më të drejtë, jo anasjelltas.

Të dielën ka pasur disa vendime të diskutueshme të arbitrave, por mes të gjithave ka një, thelbësor, që mund të çonte në ndryshimin e rezultatit përfundimtar të lojës. E kam fjalën për të ashtuquajturin golin fantazmë të Lamine.

Si klub duam të jemi të sigurt për atë që ka ndodhur. Për këtë arsye ju informoj se Barcelona do të kërkojë menjëherë nga Komiteti Teknik i Gjyqtarëve dhe Federata Spanjolle e Futbollit që të na japin të gjitha imazhet dhe audion e atij rasti të dyshimtë”.

Laporta përfundon kështu: “Nëse, pasi të jetë analizuar ky dokumentacion, klubi kupton se ka ndodhur një gabim në vlerësimin e lojës, ne do të zbatojmë të gjitha veprimet e duhura për të ndryshuar situatën, pa përjashtuar, padyshim, hapat ligjorë të nevojshëm. Nëse konfirmohet se ka qenë gol i rregullt, do të shkojmë më tej.

Nuk përjashtojmë që të kërkojmë riluajtjen e ndeshjes, siç ka ndodhur në një ndeshje europiane për shkak të një gabimi të VAR-it. Në fund dua të theksoj se, edhe pse do të fokusohemi te ky rast, nuk jemi dakord edhe me veprime të ndryshme gjatë zhvillimit të ndeshjes. Edhe pse arbitrat mund të konsultoheshin me VAR, ky mjet u injorua nga arbitri në mënyrë të pakuptueshme te penalltia e padrejtë që u dha në favor të Realit”.

Së fundi, Joan Laporta gjithashtu iu drejtohet drejtpërdrejt tifozëve të Barçës: “Anëtarë dhe tifozë të Barçës: ky pozicion i klubit nuk është as i lirë dhe as i favorshëm, por një veprim që na detyrohet nga situata në të cilën jetojmë, e pambrojtjes, nag e cila kemi vuajtur shumë. Po flasim peprimet në fushën e lojës, disa nga të cilat na kanë dëmtuar ne dhe kanë favorizuar rivalin tonë. Këto gabime të arbitrave kanë stimuluar distancën me pikë që ekziston nga kreu i La Liga-s”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd