Transmetuar më 22-04-2024, 22:55

PASOK, partia kryesore e së majtës greke e ka sulmuar sërish kryeministrin Kyriakos Mitsotakis për përfshirjen e kandidaturës së Fredi Beleri në listën e kandidatëve për eurodeputetë të partisë Demokracia e Re.

Gjatë një interviste televizive, eurodeputetja Evi Christofilopoulou tha se arsyet e kandidimit nga Mitsotakis të Fredi Belerit për eurodeputet nuk janë simbolike as kombëtare dhe as europiane, por vetëm llogaritje për qëllime elektorale.

Sipas saj, synimi pse u kandidua Beleri është ndalimi i rrjedhjes së votuesve të partisë Demokracia e Re drejt së djathtës ekstreme, ndërsa përmendet bashkëpunimi i tij kohë më parë me Agimin e Artë. Kjo kandidaturë për eurodeputet e ekspozon Mitsotakis, që sipas të majtës greke po vendos interesin partiak mbi interesin kombëtar.

Të majtët grekë insistojnë në atë se Beleri është më i nevojshëm si kryetar i Bashkisë së Himarrës, në mënyrë që të mbrojë efektivisht të drejtat dhe pronat e minoritetit etnik grek në Shqipëri.

Sipas ligjit grek, Beleri ka të drejtë të jetë kandidat. Nëse Beleri zgjidhet në Parlamentin Europian, ai do të duhet të japë dorëheqjen si i zgjedhur për kryetar bashkie.

Sondazhet e fundit të opinionit publik grek pas shpalljes së 42 kandidatëve të Demokracisë së Re për zgjedhjet europiane e shohin kandidaturën e Belerit të rreshtuar në top pesëshen fituese.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd