Transmetuar më 20-04-2024, 12:51

TIRANË- Tre të rinj janë arrestuar pas protestës që u mbajt një ditë më parë para bashkisë së Tiranës. Sipas informacioneve policore në pranga u vunë Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, Franci Kaloshi.

Të rinjtë akuzohen për veprat penale “kundërshtim të punonjësve të policisë” si dhe “shkatërrim të pronës me zjarr”. Po ashtu janë proceduar në gjendje të lirë deputeti i opozitës, Flamur Noka dhe këshilltari bashkiak nga Partia e Lirisë, Tedi Blushi.

Në protestën e thirrur nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas skandalit të korrupsionit me kompaninë 5D dhe arrestimit të drejtorëve dhe ish-drejtorëve të bashkisë. Ndërkohë kjo protestë u shoqërua që nga nisja e saj me tensione, me dhjetëra koktejle molotovë të cilat u hodhën në hyrje të godinës së bashkisë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë

Në lidhje me protestën e organizuar ditën e djeshme, më datë 19.04.2024, në orën 11.00, përpara Bashkisë Tiranë, thirrur nga Aleanca për Teatrin, e cila filloi në orën 11.00 me fjalime dhe përgjithësisht e qetë, në momentin që ka marrë fjalën shtetasi B. K., në drejtim të portës hyrëse të Bashkisë Tiranë, janë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike artizanale (molotov).

Pas kësaj një grup protestuesish, në drejtimin e shtetasve F. N., K. B., T. B., dhe të personave të tjerë, kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit "Skënderbej", dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis protestuesve dhe punonjësve të Policisë.

Pas përfundimit të protestës janë kryer veprimet procedurale, është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të Bashkisë Tiranë, të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Për përdorim të lëndëve piroteknike (molotov) janë arrestuar në flagracë shtetasit K. V., 18 vjeç, dhe B. M.,18 vjeç.

Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve, të cilët kanë hedhur dhe kanë përdorur lëndë piroteknike (molotov).

Për ushtrim dhune ndaj punonjësve të Policisë është arrestuar shtetasi F. K., banues në Lushnjë.

Janë proceduar ne gjendje të lirë shtetasit K. B., T. B., E. V., D. B. Po punohet për kapjen e shtetasve A. T., R. D., A. M., J. H., B. Z., B. Gj., E. P., dhe A. P.

Gjithashtu janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e pamjeve për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd