

Java e 32-të e Superiores nisi dje me dy ndeshjet e para, ku Tirana dhe Skënderbeu triumfuan 2-0 ndaj Erzenit dhe Kukësit, respektivisht në transfertë. Sot luhet tri sfidat e tjera përmbyllëse të këtij “stacioni” të kampionatit, që po i afrohet fundit dhe “final four”.
Pra, nuk ka më kohë për të korigjuar gabimet që mund të bëhen, ndaj skuadrat janë thirrur për të dhënë gjithçka, me qëllim renditjen në katër vendet e para. E thënë ndryshe, për t’u bërë pjesë e “final four”, prej nga do të shpallet edhe ekipi kampion.
Bie në sy derbi i kryeqytetit, mes Partizanit dhe Dinamos, që do të luhet sot prej orës 18:00. Duke folur para kësaj përballjeje, trajneri i të kuqve, Orges Shehi, nënvizoi: “Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta, është e rëndësishme si të tjerat ato që kanë kaluar dhe ato që vijnë.
Do ta presim kundërshtarin me uri për të bërë më të mirën dhe me përqendrim, sepse shohim dita-ditës që episodet vendosin ndeshjet. Dinamovitët janë 2 pikë poshtë nesh, ndaj do të bëjmë maksimumin për të marrë fitoren. Iu kam thënë djemve që të mos i biem pishmanit, të luajnë pa presion.
Kur presioni e kalon dozen, atëherë të frenon. Situata është e njëjtë me javën e kaluar, nuk është rikuperuar Hadroj. Ai sakrifikoi javën e shkuar, por nuk do të kërkojmë t’i bëjmë dëm të madh. Ka një shqetësim që do kohën e vet për rikuperim.
Nuk më tremb asgjë nga kundërshtarët, ekipi duhet të kalojë ngërçin psikologjik, shpresoj të hyjnë në fushë me autoritetin që e karakterizon. Nuk më tremb asgjë kur lojtarët e mi japin 100% në fushën e lojës. Në futboll situatat janë dinamike, çdo gjë e lidh me skuadrën. Nëse bëjmë më të mirën në ‘final four’, ne do ta ngremë titullin kampion.
Çdo gjë është relative në futboll. Kush i frikësohet kundërshtarit më mirë mos ta bëjë këtë punë, situatat kalohen me besim dhe përqendrim. Në sulm kemi 4 lojtarë për një pozicion në varësi të situatave, mund t’i aktivizojmë edhe të gjithë njëherësh. Duam të jemi agresivë përpara portës, sepse episodet vendosin ndeshjet. Do të fitojë skuadra më e përqëndruar dhe luftarake, nuk ka lidhje stadiumi ku luhet”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





