Transmetuar më 19-04-2024, 09:28

Trajneri i Bayer Leverkusen, Xabi Alonso, ka analizuar paraqitjen e të tijve ndaj West Ham në “TNT Sports”. Falë barazimit 1-1 në stadiumin e Londrës, kampionët e rinj të Gjermanisë kaluan në gjysmëfinale të Ligës së Europës, ku do të përballen me Romën:

"Ne e dinim se West Ham do të bënte shumë presion mbi ne. Duhet të jem i sinqertë, ata bënë shumë mirë në 45 minutat e para, na krijuan shumë probleme me presionin e lartë. Ne nuk ishim rehat në fushë, po përpiqeshim të gjenim lojtarin e lirë. Sidomos në 15 minutat e para ishim shumë të lehtë dhe humbëm disa topa pranë zonës sonë.

Fatmirësisht reaguam në pjesën e dytë, ndryshuam disa gjëra, patëm më shumë intensitet. Ne pamë një pjesë të dytë shumë më të mirë dhe në fund shënuam me Frimpong. Jam i lumtur që ia dolëm, por, siç e dimë, në kupat evropiane gjithmonë duhet të djersitësh për kualifikim. Sonte, 45 minutat e para ishin të vështira.

Zëvendësimi i Kossounou pas 30 minutash lojë? Nuk ishte e lehtë, por, si trajner, ndonjëherë duhet të veprosh, të marrësh përgjegjësi. E di që nuk është mirë që një lojtar të zëvendësohet pas një kohe kaq të shkurtër, por ai u ndëshkua me karton të verdhë dhe patëm probleme për ta ndërtuar lojën në atë pozicion.

Kishte shumë arsye shoqëruese për të bërë atë zëvendësim. E di që nuk është e bukur, por funksionoi. Ndikim të mirë patën edhe lojtarët e tjerë që hynë në pjesën e dytë. Stoli është shumë i rëndësishëm. E prisnim këtë lloj loje nga West Ham, me shumë energji.

Kundërshtari tregoi intensitet të madh, në një mënyrë krejtësisht të ndryshme nga ndeshja e parë në Leverkusen. Sidoqoftë, nëse doni të arrini gjysmëfinalen në Evropë dhe, shpresoj, të shkoni edhe më larg, duhet të jeni të mirë në përballimin e momenteve të vështira. Të qenit në gjendje të qëndronim drejt në momente të vështira ishte çelësi i kualifikimit tonë.

Goli i vonuar? Ky është mentaliteti ynë, të besojmë në të deri në minutën e fundit, por edhe të dimë të përballojmë momentet e vështira, të mos përçahemi. Është e qartë se të dhënat janë pasojë e punës së mirë.

Gjëja më e rëndësishme nuk ishte ruajtja e rekordit si të pamposhtur në këtë sezon, por arritja në gjysmëfinale. Gjithsesi, të jemi ende të pamposhtur dhe me këtë rekord (44 ndeshje pa humbje) na bën edhe më të lumtur. Në gjysmëfinale do të kemi një mision të vështirë kundër Romës”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit