Transmetuar më 17-04-2024, 10:07

Në luftën e shifrave për humbjet e jetëve të ushtrisë ruse, ka një qëmtim më të besueshëm të asaj që ka ndodhur këto dy vite në Ukrainë pasi Rusia i shpalli luftë me qëllim aneksimin e disa territoreve.

BBC Russian, grupi i pavarur mediatik Mediazona dhe vullnetarët kanë numëruar vdekjet që nga shkurti i vitit 2022. Ata konstatojnë se janë të paktën 50 mijë ushtarë rusë që janë vrarë në Ukrainë nga forcat ushtarake të Zelenskit, raporton noa.al.

Analiza evidenton se në 12 muajt e dytë, mars 2023 deri mars 2024, në vijën e parë të frontit të luftës, numri i trupave të vrarë ishte gati 25% më i lartë se në vitin e parë.

Provat për këtë konstatim janë të shumta e mes tyre, pamjet që shihni më poshtë, me varret e reja në varrezat ushtarake.

Kërkimi në terren evidentoi se më shumë se 27,300 ushtarë rusë vdiqën në vitin e dytë të luftimit.

Rusia ka refuzuar të komentojë shifrat. Ajo po vazhdon strategjinë e saj të ashtuquajtur Mulliri i mishit. Termi mulli i mishit është përdorur për të përshkruar mënyrën se si Moska i dërgon valët e ushtarëve përpara pa pushim, në përpjekje për të shtypur forcat ukrainase dhe për t’i ekspozuar vendndodhjet e tyre ndaj artilerisë ruse.

Zyrtarisht Moska nuk pranon se kanë vdekur kaq shumë njerëz. Ajo thotë se në luftë këto dy vite kanë humbur jetën vetëm 6 mijë.

Por numri aktual i vdekjeve ruse ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë se 50 mijë.

Analiza e bërë nuk përfshin vdekjet e milicëve në Donetsk dhe Luhansk të pushtuar nga Rusia – në Ukrainën lindore. Nëse do të shtoheshin, numri i të vdekurve nga pala ruse do të ishte edhe më i lartë.

Ndërkohë, Ukraina rrallë komenton numrin e viktimave të saj në fushën e betejës. Në shkurt, presidenti Volodymyr Zelensky tha se 31,000 ushtarë ukrainas ishin vrarë – por vlerësimet, bazuar në inteligjencën amerikane, sugjerojnë humbje më të mëdha. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd